Topi e paralajmëroi kthimin më 28 nëntor
Në fakt presidenti Bamir Topi e paralajmëroi që më 28 nëntor kthimin për rishqyrtim në kuvend të Kodit Zgjedhor. Në një fjalë të mbajtur në Pallatin e Brigadave, me rastin e festës së Pavarësisë, kreu i shtetit theksoi se fryma e respektimit të kodit duhet të jetë konsensuale. “Duke nxjerrë mësime nga përvoja e hidhur e deritanishme e kontestimit të rezultatit zgjedhor dhe deformimeve të mundshme në situata të tilla, fryma e respektimit të Kodit Zgjedhor duhet të jetë politikisht konsensuale dhe gjithëpërfshirëse. Etika politike dhe transparenca elektorale, të detyrueshme për t’u respektuar, sidomos gjatë fushatës zgjedhore, do të jepnin garanci të qëndrueshme për zgjedhje të standardeve demokratike dhe nxitje për pjesëmarrje të gjerë të qytetarëve në votime”, u shpreh Topi para të ftuarve. Sipas tij, vendi ndodhet para sfidave të rëndësishme, siç janë zgjedhjet dhe anëtarësimi me të drejta të plota në NATO. Kreu i shtetit theksoi se suksesi i tyre lidhet drejtpërdrejtë me të ardhmen e vendit dhe interesat e tij.