Xhufi: PS-PD të reflektojnë për një qasje të re ndaj zgjedhjeve
Lëvizja Socialiste për Integrim e përshëndeti vendimin e presidentit Topi për kthimin në Kuvend të Kodit Zgjedhor. “Mosdekretimi i Kodit përbën vërtet një ngjarje, e cila vë përpara përgjegjësisë protagonistët e vetëshpallur të hartimit të këtij ligji, i cili duhet të ishte një nga ligjet më seriozë, duke qenë se ka të bëjë me themelet e ndërtimit të demokracisë dhe të institucioneve në vendin tonë”, deklaroi nënkryetari i LSI-së, Pëllumb Xhufi. Sipas tij, “kthimi i Kodit të ri Elektoral për rishqyrtimin në Kuvend, konfirmon shqetësimin e përhershëm dhe të vazhdueshëm të Lëvizjes Socialiste për Integrim, lidhur me procedurën, me të cilat është ecur për hartimin dhe për kalimin e këtij Kodi, procedura të cilat janë shkelur në vazhdimësi”. “Ne gjykojmë, si LSI, se ky moment i mos dekretimit të Kodit Zgjedhor, duhet të përbëjë një rast të mirë, për të reflektuar jo vetëm për elementë, të cilët janë bërë bazë për kthimin e Kodit, por edhe për çështje të tjera, të cilat kanë të bëjnë me vetë përmbajtjen e Kodit, sidomos lidhur me ato dispozita që kanë të bëjnë me administrimin e procesit zgjedhor, i cili ka qenë edhe shqetësimi kryesor i LSI në fazën e fundit të miratimit të këtij Kodi”, deklaroi Xhufi. Kërkesa e LSI-së, sipas tij, qëndron në faktin se zgjedhjet në Shqipëri duhet të jenë sipas standardeve të kërkuara nga organizmat ndërkombëtare. “Dhe për të bërë një gjë të tillë, sigurisht duhet të ndryshojë edhe qasja ndaj zgjedhjeve në përgjithësi, por edhe qasja ndaj këtij Kodi, i cili në nenet që kanë të bëjnë posaçërisht me administrimin e votës kanë vërtetë shkelje të rënda të parimeve që ndërtojnë zgjedhjet e lira dhe të ndershme, të kartave ndërkombëtare, duke filluar nga Karta e OSBE-ODIHR-it, për zgjedhje të lira dhe të ndershme, të dokumentit të Kopenhagenit, ashtu si edhe të Kodit të sjelljes së mirë për zgjedhjet të KE, dhe më së fundi përbëjnë edhe për ne vetë dispozitat dhe rekomandimet që OSBE-ODIHR ka dhënë edhe pas zgjedhjeve të dështuara të vitit 2005”, theksoi Xhufi.