E Diel, 1 Nëntor 2026

Sulmi më i përgjakshëm që nga viti 2007

Dje një autobombë me një sasi të jashtëzakonshme eksplozivi ka shpërthyer në mes të një tregu plot me njerëz në qytetin pakistanez të Peshavarit, vetëm disa orë pas mbërritjes në Pakistan të diplomates amerikane, Hilari Klinton. Ky është sulmi më i fundit urban që kur ushtria nisi ofensivën e madhe të këmbësorisë ndaj "kështjellave" të talebanëve dy javë më parë dhe është pa diskutim më vdekjeprurësi që nga viti 2007, kur rreth 140 persona humbën jetën në një manifestim për të pritur rikthimin në atdhe të ish-kryeministres së Pakistanit, Benazir Bhuto, e cila mbeti e vrarë në një tjetër sulm, disa javë më pas. Edhe pse askush nuk e ka marrë përsipër këtë sulm, dyshimet bien menjëherë te talebanët e Pakistanit, që janë edhe objektivi i sulmit të ndërmarrë nga ushtria e vendit. Disa orë pas shpërthimit, sekretarja amerikane e Shtetit, Klinton, deklaroi se vendi i saj e mbështeste fuqishëm ofensivën që nisi dy javë më parë.
Sipas drejtorit të spitalit të Peshavarit, pjesa më e madhe e viktimave ishin gra e fëmijë. Makina me eksploziv ishte parkuar në një pikë shumë strategjike, në mes të një tregu të mbushur me njerëz, për shkak të orës së pikut. Nga shpërthimi u dëmtuan keqas edhe disa godina dhe xhami, të cilat u përfshinë nga zjarri. Rreth 200 persona të tjerë kanë mbetur rëndë të plagosur. Pjesa më e madhe e tyre janë të pashpresë. Kryesisht është dëmtuar një qendër tregtare, në të cilën shiteshin veshje, lodra dhe bizhuteri të lira. Kjo qendër mbushej më së shumti me gra dhe fëmijë. Sipas gazetarëve, që janë ndodhur në vendin e ngjarjes, situata ka qenë e tmerrshme dhe e pashpresë pas shpërthimit me njerëzit që bërtisnin të tmerruar, me trupat e copëtuar që ishin përhapur në të gjithë sheshin dhe me godinat gjysmë të shkatërruara përreth. Peshavar është qendra ekonomike e verilindjes së Pakistanit dhe vendi ku ndodhet qeveria e gjithë rajonit. Ai ka qenë vazhdimisht një objektiv i preferuar për të gjitha sulmet terroriste nga militantët islamikë që kontrollojnë një pjesë të madhe të territorit në perëndim të vendit. Ekstremizmi ka lulëzuar në këto zona që nga vitet ‘80, kur Shtetet e Bashkuara financuan luftëtarë për t‘i përgatitur në betejat kundër regjimit sovjetik në Afganistan. Vetëm këtë muaj në qytetin e Peshavarit kanë shpërthyer 3 bomba, përfshi një që mori jetën e 50 civilëve. Këto dy shpërthime janë dy nga dhjetë sulmet më të rënda në Pakistan këto 10 vitet e fundit. Talebanët kanë bërë të ditur se do të vazhdojnë që të sulmojnë vazhdimisht civilët me shpërthime, për sa kohë që do të vazhdojë ofensiva kundër tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›