E Diel, 1 Nëntor 2026

Bashkëpunimi i Forcave të Armatosura, siguri në rajon

Autori i Lajmit: red.
Ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa, ishte i pranishëm në stërvitjen ushtarake me temë “Adriatik Aurora 08”, me pjesëmarrjen e vendeve të Kartës së Adriatikut, që u zhvillua në Kroaci. Sipas burimeve të Ministrisë së Mbrojtjes, Oketa ishte i ftuar në këtë aktivitet me ftesë të homologut të tij kroat, Branko Vukeliç. Stërvitja “Adriatik Aurora 08”, sipas burimeve të mësipërme, synonte trajnimin e njësive në një mjedis shumëkombësh dhe përgatitjen e tyre për të realizuar me sukses detyrat e vëna në kuadër të operacioneve paqeruajtëse. Presidenti kroat, Stipe Mesiç, i pranishëm në këtë veprimtari, vlerësoi bashkëpunimin e ngushtë midis Forcave të Armatosura të të dy vendeve, si një faktor i rëndësishëm jo vetëm në suksesin e kësaj stërvitjeje, por edhe në forcimin e sigurisë në rajon. Trupat pjesëmarrëse demonstruan situata të ndryshme luftarake, të cilat ishin ndërtuar të përafërta dhe në përshtatje me misionin që kryejnë trupat paqeruajtëse në Afganistan. Në këtë stërvitje, që mbështetej nga partnerët amerikanë nga Vermonti, Nju-Xhersi dhe dhe Minesota, morën pjesë rreth 1800 trupa të Forcave Tokësore nga Kroacia, Shqipëria, Maqedonia dhe SHBA. Forcat tona të Armatosura u përfaqësuan me një personel të zgjedhur nga Batalioni i Dytë i Brigadës së Reagimit të Shpejtë dhe nga forcat xheniere.
Ky lajm është publikuar: 28/06/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›