E Diel, 1 Nëntor 2026

Prodi: “Shqipëria më pranë se Serbia apo Bosnjë-Hercegovina

Autori i Lajmit: red.
“Nuk mund të ketë paqe në Evropë, nëse në të nuk do të përfshihen dhe vende të tjera. Ky unifikim i Evropës duhet të ndodhë jo për një kohë shumë të gjatë, pasi shtyrja në kohë do ta bënte më të vështirë realizimin e këtij qëllimi”

Ish-kryeministri i Italisë, Romano Prodi, vlerëson hapat e rëndësishëm të Shqipërisë në procesin e integrimit në BE, duke nënvizuar se e ardhmja e Shqipërisë duhet të jetë e lidhur thellësisht me të ardhmen e Evropës. I ftuar në konferencën me temë "Zgjerimi i BE-së drejt Ballkanit Perëndimor dhe integrimi i Shqipërisë", organizuar nga Universiteti i Bolonjës dhe Universiteti Zoja e Këshillit të Mirë (ZKM), Prodi që më parë ka mbajtur dhe postin e Presidentit të Komisionit Evropian, e cilësoi situatën ku ndodhet sot Shqipëria, si më të favorshmen për hyrjen në BE, krahasuar me situatën e vendeve fqinje, Serbia apo Bosnjë-Hercegovina, në të cilat paraqitet një situatë më e vështirë. Duke folur për politikat e zgjerimit të BE-së, Prodi shprehu mendimin se nuk mund të ketë paqe në Evropë, nëse në të nuk do të përfshihen dhe vende të tjera. Ky unifikim i Evropës, vijoi ai, duhet të ndodhë jo për një kohë shumë të gjatë, pasi shtyrja në kohë do ta bënte më të vështirë realizimin e këtij qëllimi. “Zgjerimi i organizatës ka dhe kostot e veta, që duhet t i përballojmë së bashku për ta bërë më të lehtë këtë proces. Shqipëria paraqitet homogjene për të hyrë në Evropë, ndërkohë që në samitin e fundit të Aleancës ajo mori ftesën për anëtarësim në të, ndërkohë që BE dhe NATO janë dy organizata të lidhura mes tyre”, - theksoi politikani italian. Po dje, ish-kreu i qeverisë italiane zhvilloi një takim dhe me Presidentin e Republlikës, Bamir Topi.
Konferenca
Prodi u ndal edhe në problemin e Kosovës, ndaj së cilës Shqipëria ka mbajtur një qëndrim shumë të ekuilibruar dhe ka përmbushur kushtet për MSA-në. Një gjë e tillë i jep një forcë shumë të madhe qeverisë shqiptare për të përballuar reformat. Ai nënvizoi se Shqipëria ka më pak probleme se vendet e tjera, si rasti i Maqedonisë. “Ajo nuk ka probleme të pakicave. Rritja ekonomike e saj këto kohë ka qenë shumë më e madhe se në vendet e tjera të BE-së, dhe ky është një problem që ne do ta kemi parasysh në marrjen e vendimeve”, - theksoi ish-kryeministri italian në leksionin e tij para studentëve të universitetit ZKM. Edhe në takimin me Presidentin e Republikës, Prodi vlerësoi përparimet e dukshme të vendit tonë, duke nënvizuar se “treni” i integrimit, i të gjithë Ballkanit Perëndimor, nuk duhet të ndalet. Zyra e shtypit pranë Presidentit bëri të ditur se në këtë takim z. Topi përshkroi reformat kryesore të ndërmarra në vend me qëllim përmbushjen e standardeve integruese si dhe vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme e të gjithanshme që Italia i ka dhënë Shqipërisë, por edhe Kosovës, me njohjen e menjëhershme të pavarësisë së saj. “Tashmë rajoni ynë ka fituar një paqe dhe qëndrueshmëri afatgjatë, duke u larguar përfundimisht nga mendësitë e vjetra dhe duke u projektuar i tëri drejt integrimit të plotë euroatlantik”, - tha presidenti Topi, i cili vuri në dukje angazhimin e Shqipërisë për të vazhduar përparimin në rrugën e pakthyeshme të integrimit në familjen e madhe evropiane. Presidenti Topi e cilësoi z. Prodi si një mik të madh të Shqipërisë. Ai vuri në dukje nivelin e shkëlqyer të marrëdhënieve mes dy vendeve, ku pa dyshim, kontributi i z. Prodi është i vlerësuar nga të gjithë.

Ky lajm është publikuar: 28/06/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›