E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bashkimi mesdhetar më shumë siguri në rajon

Autori i Lajmit: red.
Kryeministri Sali Berisha e ka vlerësuar si historik projektin mbi krijimin e një bashkimi mesdhetar. Gjatë referimit të tij si i ftuar nderi në Forumin e Krans Montanës, që po zhvillohet në Monako, Berisha parashtroi rëndësinë e një organizmi të tillë në realizimin e projekteve për energjinë diellore, të zhvillimit të infrastrukturës detare, mbrojtjen kundër ndotjes së brigjeve mesdhetare dhe sigurisë së këtyre vendeve. Kjo ide është hedhur fillimisht nga Presidenti i Francës, Nikola Sarkozi, por tashmë me një dimension evropian, synon zgjerimin e marrëdhënieve ekonomike, por edhe mbështetje në zgjidhjen e konflikteve në rajon dhe në luftën kundër terrorizmit. Kryeministri Berisha, i ftuar nderi në Forumin e Krans Montanës, që po zhvillohet në Monako, referoi dje në panelin plenar me temë "Drejt një Unioni Mesdhetar". Në fjalën e tij, Berisha nënvizoi rëndësinë e një iniciative të tillë, të drejtuar nga Presidenti francez, Nikolas Sarkozi, dhe e mbështetur plotësisht nga vendet evropiane, veçanërisht Gjermania, për ridimesionimin e procesit të Barcelonës. “Unioni Mesdhetar paraqet në fakt një realitet historik, që duhet respektuar dhe nxitur për të zgjeruar marrëdhëniet e bashkëpunimit ndërmjet vendeve mesdhetare, si dhe bashkëpunimin e vendeve mesdhetare me vendet evropiane”, - vlerësoi Kryeministri, i cili nënvizoi se kjo iniciativë vjen në një kohe kur Evropa ka shënuar një progres të rëndësishëm në zgjerimin e saj. Berisha përshëndeti rëndësinë e krijimit të Bashkimit Mesdhetar për të mundësuar realizimin e projekteve të propozuara në fushën e shfrytëzimit të potencialeve të energjisë diellore, zhvillimit të infrastrukturës detare, bashkëpunimit në mbrojtjen kundër ndotjes së brigjeve detare dhe sigurisë së vendeve mesdhetare. Me rëndësi është dhe bashkëpunimi universitar ndërmjet vendeve të Bashkimit Mesdhetar. Bashkimi Mesdhetar synon të japë kontribut të rëndësishëm edhe në zgjidhjen e konfliktit izraelito-palestinez.

Ky lajm është publikuar: 28/06/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›