Topi heq nga lista 5 të rrëzuarit
BLEDAR HOTI
Presidenti heq nga lista e pretendentëve për anëtar Gjykate të Lartë pesë emrat e rrëzuar dy javë më parë nga ana e Parlamentit. Në listën përfundimtare të kandidatëve të publikuar mbrëmë nga ana e Presidencës, nuk figurojnë emrat e Kristaq Trajës, Altina Xhoxhajt, Zamir Podës dhe Mehdi Bicit. Debatet mes maxhorancës dhe Presidentit në lidhje me ridekretimin e mundshëm të pesë emrave të rrëzuar, duket se kanë sjellë një reflektim nga ana e Presidentit, duke preferuar mospërfshirjen në listën përfundimtare të kandidaturave që do të përzgjidhen për pesë emrat për anëtarë të Gjykatës së Lartë. Publikimi i plotë i listës së konkurrentëve u bë vetëm pasi grupi i punës hartoi në mënyrë përfundimtare kriteret për përzgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës së Lartë. Presidenti, pas rrëzimit të pesë dekreteve, krijoi një grup pune me juristë të njohur dhe konstitucionalistë, me qëllim hartimin e kritereve të anëtarëve të Gjykatës së Lartë. Gjatë kësaj periudhe është realizuar edhe marrja e propozimeve nga ana e partive politike për kriteret e anëtarëve të Gjykatës së Lartë. Propozime konkrete realizuan PS, PD, PR. Ndërsa realizimi i procesit për kriteret duket se ka shmangur konsultat e Presidentit me partitë politike për emrat konkretë. Sipas burimeve pranë Presidencës, mësohet se kreu i shtetit pritet që nga fillimi i javës së ardhshme të paraqesë në Kuvend dekretet për pesë anëtarët e Gjykatës së Lartë. Në listën e 105 kandidatëve për 5 vendet aktuale vakante të mbetura janë përfshirë juristë dhe gjyqtarë të periudhave të ndryshme kohore. Në bazë të ligjit “Për funksionimin e Gjykatës së Lartë”, në nenin 3 sanksionohet se, “gjyqtarët e Gjykatës së Lartë emërohen nga radhët e gjyqtarëve me vjetërsi jo më pak se 10 vjet ose nga radhët e juristëve të shquar, që e kanë ushtruar këtë profesion jo më pak se 15 vjet”. Pas paraqitjes së 105 emrave, Presidenti do të konsultohet edhe me kriteret e vendosura nga grupi i të “Urtëve” të ngritur pranë tij, duke përcaktuar pesë pretendentët e radhës për t’u votuar në Kuvend.
Lista e plotë
1. Arben Ristani - Anëtar i Komisionit Qendror Zgjedhor
2. Aleksandër Muskaj - Gjyqtar pranë Gjykatës së Apelit Tiranë.
3. Arjana Fullani - Drejtore e Shkollës së Magjistraturës prej tetë vjetësh.
4. Agim Bendo - Gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë prej gjashtëmbëdhjetë vjetësh, ka gradën shkencore “Doktor i Shkencave Juridike”.
5. Arben Rakipi - Prokuror i Përgjithshëm për pesë vjet, aktualisht avokat.
6. Andi Çeliku - Gjyqtar për 6 vjet, aktualisht avokat prej dhjetë vjetësh.
7. Astrit Kalaja – Gjyqtar në Gjykatën e Apelit Shkodër.
8. Artan Broci - Gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë prej dymbëdhjetë vjetësh.
9. Artur Selmani - Drejtor i Drejtorisë Gjyqësore të Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm.
10. Admir Thanza - Gjyqtar i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.
11. Arben Qeleshi - Gjyqtar për gjashtë vjet, aktualisht avokat prej shtatë vjetësh.
12. Agron Cami - Anëtar i Dhomës së Avokatisë Tiranë 1993-2001.
13. Agron Zhukri - Gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë prej dymbëdhjetë vjetësh.
14. Artan Gjylbegaj - Gjyqtar për pesë vjet në Gjykatën e Rrethit Elbasan, kryeregjistrues për dy vjet, aktualisht avokat prej tre vjetësh.
15. Ariana Liço - Gjyqtare prej katërmbëdhjetë vjetësh në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Krujë.
16. Artan Tabaku - Drejtor në Drejtorinë Juridike, Burimet Njerëzore dhe Kërkimi Shkencor në KLD.
17. Adnand Kosova - Hetues në Hetuesinë e Rrethit Korçë për pesë vjet, Drejtor i Prokurorisë së Rrethit Korçë për gjashtë vjet, inspektor në Inspektoratin e KLD-së për pesë vjet.
18. Avni Shehu - Zv.kryetar dhe kryetar i Gjykatës së Lartë, ish-anëtar i KLD-së për katër vjet.
19. Anila Kristani - Gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë prej dymbëdhjetë vjetësh.
20. Ariana Caco (Gumbardhi) - Gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë prej katërmbëdhjetë vjetësh.
21. Ahmet Jangulli - Kryetar i Gjykatës së Shkallës së Parë Bulqizë për dymbëdhjetë vjet.
22. Anastas Duro - Prokuror për tetëmbëdhjetë vjet në Prokurorinë e Rretheve Gjirokastër dhe Mat, ish-zv.ministër i Drejtësisë, aktualisht avokat.
23. Adnand Xhelili - Prokuror në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë prej katërmbëdhjetë vjetësh.
24. Bashkim Çami - Gjyqtar për tetëmbëdhjetë vjet, aktualisht avokat prej shtatë vjetësh.
25. Bujar Sheshi - Prokuror për dhjetë vjet, aktualisht prokuror pranë Gjykatës së Lartë prej pesë vjetësh.
26. Besnik Çollaku - Avokat për dhjetë vjet, aktualisht noter prej tetë vjetësh, autor i disa artikujve.
27. Besnik Kaçurri - Kryetar gjykate për katër vjet në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Skrapar, aktualisht avokat.
28. Bashkim Dedja - Gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë për tre vjet, aktualisht gjyqtar në Gjykatën e Apelit Durrës prej dhjetë vjetësh.
29. Bardhul Dhama - Gjyqtar në Gjykatën e Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë prej katër vjetësh.
30. Bashkim Caka - Ish-anëtar i Gjykatës së Lartë, ish-deputet, gjyqtar në Gjykatën e Apelit Tiranë prej dy vjetësh.
31. Dalip Bushi - Gjyqtar prej njëzetenëntë vjetësh, ish-anëtar i KLD-së, aktualisht gjyqtar në Gjykatën e Apelit Tiranë.
32. Dëshira Subashi - Një vit gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë, gjyqtare e Apelit për dhjetë vjet, anëtare e KQZ-së.
33. Evelina Qirjako - Avokate prej nëntëmbëdhjetë vjetësh.
34. Elta Milori – Ndihmëse ligjore e Kryetarit të Gjykatës së Lartë prej tetë vjetësh.
35. Edmond Islamaj – Kryetar i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kavajë për katër vjet, aktualisht gjyqtar në Gjykatën e Apelit Tiranë prej pesë vjetësh.
36. Etleva Temo – Gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Pogradec prej pesëmbëdhjetë vjetësh.
37. Elida Take – Gjyqtare për trembëdhjetë vjet, notere në Dhomën e Noterisë Tiranë prej dhjetë vjetësh.
38. Fiqrete Mullai – Gjyqtare prej njëzetenjë vjetësh, aktualisht gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë.
39. Fatmira Luli (Bileri) – Gjyqtare për shtatë vjet, zëvendësdrejtore e Shkollës së Magjistraturës për shtatë vjet, aktualisht avokate.
40. Fatos Dervishi – Hetues për pesë vjet, ish-zëvendësprokuror i Përgjithshëm, avokat në SHBA prej dhjetë vjetësh.
41. Flutura Kona – Kryetare e Arbitrazhit Shtetëror Durrës për pesëmbëdhjetë vjet, avokate e Përgjithshme e Shtetit për tre vjet, aktualisht avokate.
42. Fatos Qato – Gjyqtar pranë Gjykatës së Apelit Tiranë prej pesëmbëdhjetë vjetësh.
43. Fatmir Tartale – Pedagog në Universitetin Publik, në Akademinë e Policisë, si dhe në universitete private.
44. Fatmir Gjika – Gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Kukës, gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Mat, aktualisht avokat prej 11 vjetësh.
45. Fuat Vjerdha – Gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Shkodër për dymbëdhjetë vjet, aktualisht gjyqtar në Gjykatën e Apelit Shkodër.
46. Fariz Xhuxhi – Prokuror në Prokurorinë e Rrethit Krujë, zëvendësprokuror rrethi në Prokurorinë e Rrethit Mat, aktualisht avokat.
47. Fida Osmani – Gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor, aktualisht gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor, Tiranë.
48. Flora Hajredinaj – Gjyqtare të Gjykatave të Rretheve Dibër, Tropojë, aktualisht gjyqtare në Gjykatën e Shkallës së Parë për Krime të Rënda.
49. Guxim Zenelaj – Gjyqtar, ndihmësligjor në Gjykatën e Lartë, ish-Avokat i Përgjithshëm i Shtetit, aktualisht anëtar i KLD-së.
50. Gjovalin Përnoca, kryetar i Gjykatës së Krimeve të Rënda.
51. Gjet Kola – Prokuror në Prokurorinë e Rrethit Kukës, aktualisht avokat prej dhjetë vjetësh.
52. Gjin Gjoni – Gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor, Tiranë prej katërmbëdhjetë vjetësh.
53. Hysni Demiraj – Gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor, Gjirokastër prej trembëdhjetë vjetësh.
54. Hanëme Bakija – Gjyqtare për shtatëmbëdhjetë vjet, aktualisht avokate prej katërmbëdhjetë vjetësh.
55. Hysen Keta – Prokuror, aktualisht prokuror në Drejtorinë e Hetimit pranë Prokurorisë së Përgjithshme prej shtatë vjetësh.
56. Hajrie Muçmata – Gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor, Kukës.
57. Hasan Selimi – Gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor, Shkodër.
58. Irena Kedhi – Hetuese në Hetuesinë e Përgjithshme, aktualisht avokate prej gjashtëmbëdhjetë vjetësh.
59. Ilir Shurdhi – Këshilltar Juridik në Kuvendin e Shqipërisë për katër vjet, aktualisht këshilltar gjyqtari në Gjykatën Kushtetuese.
60. Jak Ndoka – Gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor, Lezhë.
61. Juliana Latifi – Gjyqtare, aktualisht zv.dekane e Fakultetit të Drejtësisë “Justiniani 1”.
62. Kostika Çobanaqi - Gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor, Berat.
63. Kristofor Peçi - Ish-gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese.
64. Lefter Jahaj - Gjyqtar në Gjykatën e Apelit Tiranë.
65. Luan Dervishi - Gjyqtar në Gjykatën e Apelit Shkodër prej një viti.
66. Luan Daci - Gjyqtar, aktualisht avokat prej njëmbëdhjetë vjetësh.
67. Luljeta Xhixho (Spahiu) - Avokate, aktualisht notere në Tiranë.
68. Metush Saraçi - Kryetar i Gjykatës së Apelit Tiranë prej një viti.
69. Musa Breçani - Gjyqtar për katërmbëdhjetë vjet, aktualisht avokat.
70. Musa Halili (Gerxhari) - Gjyqtar prej njëzet e shtatë vjetësh.
71. Mimoza Arbi - Prokurore për dy vjet, aktualisht avokate.
72. Mariana Shegani (Dedi) - Gjyqtare në Gjykatën e Tiranës.
73. Mariana Semini (Tutulani) - Pedagoge pranë Shkollës së Magjistraturës.
74. Marina Raboshta - Gjyqtare e Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër.
75. Martin Deda - Zv/kryetar gjykate i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, ish-anëtar i KLD-së, aktualisht gjyqtar i Gjykatës së Tiranës.
76. Maksim Dako - Gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor, Korçë.
77. Maringlen Rrapi - Hetues për njëzet e një vjet, prokuror për tre vjet, aktualisht noter prej njëmbëdhjetë vjetësh, autor tekstesh juridikë.
78. Majlinda Andrea - Gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor, Durrës.
79. Neshat Fana - Ka punuar në Prokurori, aktualisht avokat.
80. Nertina Kosova - Gjyqtare në Gjykatën e Shkallës së Parë të Krimeve të Rënda, Tiranë prej katër vjetësh.
81. Nure Dreni - Gjyqtare në Gjykatën e Apelit për Krime të Rënda.
82. Parashqevi Ademi - Gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor, Lezhë.
83. Prel Martini - Kryetar i Gjykatës së Apelit Tiranë për pesë vjet, aktualisht avokat prej shtatë vjetësh.
84. Përparim Sanxhaku - Avokat prej katërmbëdhjetë vjetësh, ish-zëvendësministër i Drejtësisë, ish-anëtar i KLD-së, aktualisht avokat.
85. Pajtim Hoxha - Gjyqtar prej nëntëmbëdhjetë vjetësh, ish-anëtar i KLD–së, aktualisht Gjyqtar në Gjykatën e Apelit Tiranë.
86. Petraq Çurri - Gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Vlorë, avokat, aktualisht pedagog pranë Fakultetit Juridik Vlorë.
87. Pranvera Strakosha - Ish-anëtare e KLD-së, ish-gjyqtare e Gjykatës së Rrethit Tiranë për dhjetë vjet.
88. Qani Hasa - Gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Elbasan.
89. Roland Përmeti - Ish-kryetar i Komisionit të Shërbimit Civil për pesë vjet, aktualisht lektor pranë fakultetit juridik “Justiniani 1”.
90. Roland Mici - Avokat prej gjashtëmbëdhjetë vjetësh.
91. Rexhep Bekteshi - Zv/Kryetar i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor, Durrës.
92. Sinan Tafaj - Avokat prej gjashtëmbëdhjetë vjetësh.
93. Skënder Demiraj - Prokuror për njëzet e nëntë vjet, aktualisht avokat.
94. Vangjel Kosta – Ish-anëtar në Gjykatën e Lartë, Pedagog në Shkollën e Magjistraturës prej tetë vjetësh.
95. Valdete Hoxha - Gjyqtare në Gjykatën e Apelit Shkodër për katër vjet.
96. Valbon Çekrezi - Gjyqtar në Gjykatën e Apelit, Durrës prej 7 vjetësh.
97. Valentina Sadiraj - Gjyqtare në Gjykatën e Apelit, Durrës.
98. Violanda Theodhori (Donato) - Drejtore e Departamentit të Çështjeve Juridike në Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare.
99. Vexhi Muçmataj - Ish-anëtar i KLD-së, Prokuror prej trembëdhjetë vjetësh, aktualisht Prokuror në Prokurorinë e rrethit Tiranë.
100. Vjollca Meçaj - Gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Berat për shtatë vjet, ish-anëtare e Gjykatës Kushtetuese, aktualisht avokate.
101. Vasil Bendo - Jurist në administratën publike, aktualisht avokat.
102. Vangjush Kallço - Gjyqtar në Gjykatën e Apelit të Krimeve të Rënda.
103. Xhelal Elezi - Gjyqtar prej trembëdhjetë vitesh, aktualisht gjyqtar në Gjykatën e Shkallës së Parë për Krime të Rënda.
104. Zef Nikaj - Gjyqtar për dymbëdhjetë vjet, ish-anëtar i Gjykatës së Kasacionit, aktualisht avokat prej tetë vjetësh.
105. Zamir Moçka (Stefani) - Hetues për dhjetë vjet, Gjyqtar për dymbëdhjetë vjet, aktualisht Drejtor i Drejtorisë Shërbimeve Juridike në Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, ka marrë titullin “Master” dhe “Doktor” në Universitetin Leibniz, Milano.
Subashi dhe Ristani,pretendentë
Në listën e kandidatëve me 105 emra gjithsej figurojnë edhe dy anëtarët e KQZ-së, Dëshira Subashi dhe Arben Ristani. Dy anëtarët janë gjyqtarë dhe juristë, ata kanë prej më shumë se tre vjet që ndodhen si anëtarë të KZQ-së. Ndryshimet kushtetuese që u pasuan me rrëzimin e neneve të KQZ-së, si dhe reforma zgjedhore që do të prekë mënyrën e funksionimit të këtij institucioni në të ardhmen, duket se i ka bërë anëtarët që të kërkojnë një vend tjetër pune. Kjo, pasi përflitet që KQZ-ja, sipas projektit të maxhorancës të jetë pjesë e Ministrisë së Brendshme dhe të mos funksionojë më si strukturë e vetme institucionale. Subashi është zgjedhur në KQZ si pjesë e propozimeve të PS-së, kur e majta kishte pushtetin, ndërsa Ristani u zgjodh në këtë post vetëm pas propozimeve të bëra nga PD-ja, kur e djathta kishte maxhorancën qeverisëse. Në listën e prej 105 emrave të bien në sy edhe emrat e personave që dikur kanë qenë anëtarë të Gjykatës së Lartë. Në bazë të ligjit këto kandidatura nuk duhet të riparaqiten për t’u votuar përsëri. Ky kriter vlerësimi, që është edhe në Kushtetutë, solli më pas edhe rrëzimin e emrit të Zamir Podës në votimin e dy javëve më parë.
Hapja e dosjeve, replika Topi-Topalli
Hapja e dosjeve sjell përplasjen zyrtare mes Presidentit Bamir Topit dhe kryeparlamentares Jozefina Topalli.
BLEDAR HOTI
Nisma e Kuvendit “Për ligjin e spiunëve” ka risjellë përplasjen mes dy drejtuesve kryesorë të shtetit shqiptar. Numri një i shtetit shqiptar, Topi, e ka cilësuar si një demagogji të klasës politike debatin në lidhje me dosjen e ish-Sigurimit të Shtetit dhe të miratimit të një ligji të tillë në Kuvend. E ndërsa Topalli i është kundërpërgjigjur Topit, se duhet të ketë kujdes në paraqitjen e emrave për anëtarë të Gjykatës së Lartë. Pas këtij aktiviteti, ku u realizua dhe shfaqja e filmit premierë “Gjembat e flakëve dhembin”, kreu i shtetit deklaroi se: “Në pasazhet e fundit të këtij filmi mjaft interesant ishte shprehja: Për një çast të heshtim ne dhe të flasin ata”. “Ish-të përndjekurit realisht duhet të flasin shumë, por edhe ata që pikërisht flasin në emër të tyre dhe po i konsumojnë edhe kartën morale të fundit këtij problemi, që pas gati njëzet vjet demokraci ka shumë demagogji dhe për fat të keq nuk ka veprime konkrete”, u shpreh Topi. Ndërsa Topalli ka bërë të ditur se, asnjë prej ish-sigurimsave nuk duhet të jetë në institucionet e larta të shtetit. “Ne nuk mund të lejojmë më që në institucionet kryesore të shtetit shqiptar; në Prokurori, në Presidencë, Parlament, Qeveri, Gjykatë të Lartë, atë Kushtetuese dhe në institucione të tjera, të kemi njerëz, të cilët kanë marrë pjesë në gjyqe politike dhe që kanë kontribuar në atë që ka qenë gjëja më e tmerrshme, që ishte sigurimi i shtetit, i drejtuar nga Enver Hoxha. Shoqëria shqiptare duhet t’i drejtohet pajtimit dhe pajtimi bëhet vetëm duke dënuar këto krime. Pajtimi bëhet vetëm duke hapur të gjitha arkivat. Qytetarët shqiptarë duhet të dinë se çfarë ka ndodhur”, theksoi Topalli. Ndërsa Topi ka dalë nga takimi me një nga përfaqësuesit e ish-të përndjekurve. “Në mënyrë simbolike, unë kam një grua këtu pranë, është nusja e dajës tim, që ka qenë pikërisht në ata të përndjekur që u pasqyruan këtu, por që është vetëm një nga të gjithë ata të persekutuar, të cilët realisht duhet të flasin shumë”, deklaroi Topi. Ndërsa Topalli ka deklaruar se “mbas 20 viteve, kur Shqipëria ka marrë ftesën për anëtarësim në NATO, ne nuk mund të lejojmë më që në institucionet kryesore të shtetit shqiptar; në Prokurori, në Presidencë, në Parlament, në Qeveri, në Gjykatën e Lartë, në Gjykatën Kushtetuese dhe në institucione të tjera të kemi njerëz, të cilët kanë marrë pjesë në gjyqe politike dhe që kanë kontribuar në atë që ka qenë gjëja më e tmerrshme, që ishte sigurimi i shtetit, i drejtuar nga Enver Hoxha”. Mes dy drejtuesve kryesorë të shtetit është vënë re një marrëdhënie e ftohtë. Mes tyre ka pasur vetëm një shtrëngim duarsh, sa për kortezi, përpara të ftuarve dhe asgjë tjetër, asnjë diskutim apo batutë ndërmjet tyre. Ato nuk kanë qenë as të ulur bashkë, por në mes tyre ka qëndruar Tomorr Aliko, një ish i përndjekur politik.
Dosjet, Zogaj: Janë marrëzira
Deputeti i PD-së, Preç Zogaj, e cilëson të kotë nismën e PD-së për hapjen e dosjeve. Sipas tij, në vend ka pasur një ligj të tillë në fuqi dhe ka funksionuar nga 1996 deri në 2001. “Është e qartë se nuk ka ndonjë qëllim për të bërë ndonjë lloj pastrimi, këto janë marrëzira. Unë ju sugjeroj që ta hedhim me helmeta po ta hedhim në popull një gjë të tillë, këtë ligj që kanë propozuar”, deklaroi për median Zogaj. Ai propozon ngritjen e një komisioni të posaçëm për të verifikuar hapjen e dosjeve të realizuara pas vitit 1996 e këtej. Për deputetin e djathtë, një rikthim i këtij ligji në variantin fillestar, përveçse i panevojshëm duhet të trembë një pjesë të madhe të deputetëve të legjislativit. Ndërsa deputeti i PDR-së, Tritan Shehu, ka kërkuar miratimin e menjëhershëm të projektligjit “Për pastërtinë e figurave të deputetëve”, pasi vetëm në këtë mënyrë mund të jepet fund shantazheve të ndryshme që janë bërë gjatë këtyre 17 viteve në klasën politike shqiptare.
Dekretet e Topit, PS-PD shmangin marrjen e të dhënave nga SHISH
Ndryshimi i Rregullores për çështjen e votimit të dekreteve pritet të votohet javën e ardhshme. Maxhoranca dhe opozita pas dy mbledhjesh brenda ditës së djeshme nuk arriti të hartojë një draft përfundimtar mbi mënyrën e shqyrtimit të dekreteve të presidentit. Në mbledhjen e pasdites së djeshme mësohet se socialistët dhe demokratët janë pranë arritjes së konsensusit në lidhje për këtë çështje, pasi kanë rënë dakord në shumë pika për mënyrën e shqyrtimit të kandidaturave. Sipas burimeve në mbledhje bëhet e ditur se, për pikën ku kërkohet hetimi i kandidaturave mund të merren vetëm të dhëna në rrugë zyrtareve dhe jo operative. Nisur nga ky fakt do të përfshihen në dosjen e anëtarëve të komisionit vetëm të dhënat zyrtare, si deklarimi i pasurisë së zyrtarëve, dëshmia e penalitetit. Këshilli ka vendosur që të mos marrë asnjë informacion nga ana e Shërbimit Informativ Shtetëror, pasi edhe vetë ligji nuk i jep të drejtën Kuvendit që të marrë informacione, “top sekret”. Arsyeja e rrëzimit të marrjes së informacionit lidhet me faktin se çdo akuzë duhet të jetë e vërtetuar dhe i vetmi dokument zyrtar është vendimi i gjykatës i formës së prerë. Një tjetër pikë që kanë rënë dakord është se të gjithë deputetët e komisionit të Ligjeve apo të komisioneve të tjera mund të kërkojnë informacione shtesë në lidhje me kandidaturat, që do të paraqiten. Në propozimet e Bejës, parashikohej që ky proces dokument shtesë të realizohet vetëm nga ana e kryetarit të komisionit parlamentar. Këshilli i Rregullores në një farë mënyre ka pranuar hetimin për emrat e paraqitur për votim në institucionet kushtetuese, pasi një pjesë e emërimeve në këto vende realizohen nga vetë Parlamenti.