E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bektashi ‘jo’ Gjermanisë e Serbisë për Shqipërinë

Sulmuesi 17-vjeçar, Shqipron Bektashi, ka ngjallur interesimin e shumë skuadrave në Gjermani, madje edhe të specialistëve të Federatës Gjermane të Futbollit. 

Jetmir Halilaj

Bektashi aktivizohet me ekipin e U-19 të Fraiburgut, ndonëse për moshën që ka, duhet të luajë me ekipin U-17. Muajin e kaluar, futbollisti me prindër nga Presheva është shpallur kampion i Bundesligës me ekipin U-19, duke fituar kundër Volfsburgut 2-0, me golin e dytë të shënuar prej vetë atij.
Arritjet
17-vjeçari ka luajtur edhe në finale të kupës për këto grupmosha, ku u mposhtën nga Borusia e Dortmundit. Gjatë sezonit të shkuar, ai ka realizuar 13 gola. Bektashi po ndiqet me kujdes nga specialistët e federatës gjermane, por edhe nga agjentët e Federatës së Futbollit të Serbisë. Madje, një zyrtar i federatës serbe kishte kontaktuar me të atin, Mehmetin, dhe i kishte ofruar djalit të tij, Shqipronit një vend në përfaqësueset e moshave, duke dashur të shfrytëzojnë faktin që talenti ka pasaportë serbe.
Ofertat
“Dëshira e ime është që djemtë, Shqiproni dhe Edmondi të luajnë për Shqipërinë. Kanë pasur oferta edhe nga Gjermania dhe të dy kanë qenë në grumbullimet e të rinjve nga ana e DFB-së. Por, ne akoma nuk e kemi shtetësinë gjermane dhe dëshira e ime është që ata të luajnë për Shqipërinë. Kam qenë i interesuar t’i përfshij djemtë e mi në grumbullimin e Shpresave, por për motive financiare kjo ka qenë e pamundur atëherë. Oferta nga Serbia? As që bëhet fjalë, ne dhe gjithë familja jonë duam t’i shikojmë fëmijët me fanellën kuqezi”, është shprehur Mehmet Bektashi për të përditshmen “Koha Ditore”.
Spikatja
Talenti i vëllezërve Bektashi u ka rënë në sy edhe njerëzve kryesorë të futbollit gjerman. “Koordinatori i të rinjve të Fraiburg, është ish-trajneri dhe miku i Joakim Lëv. Po ashtu, ne jemi larg vetëm dy kilometra prej shtëpisë së Lëvit dhe trajneri i Kombëtares gjerman i njeh shumë mirë djemtë e mi. I ka ndjekur shumë herë nga afër. Por, dëshira ime është që djemtë të vishen kuqezi”, ka thënë babai i futbollistëve. Shqipron Bektashi është vëzhguar në gjysmëfinalet e U-19 edhe nga drejtori sportiv i Federatës Gjermane të Futbollit (DFB).
Samer
“Matia Samer ka ndjekur ndeshjen gjysmëfinale Këln-Fraiburg. Këshilltari të tij, ai i ka sugjeruar trajnerit të U-18 dhe U-19, Hrost Hrubesh, që ta marrë Shqipronin në skuadër. Megjithatë nëse im bir do të ketë ndonjë mundësi për të luajtur me Shqipërinë, padyshim që do të zgjedhë fanellën kuqezi”, shprehet i ati i Shqipronit, Mehmet Bektashi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›