E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zbulohet banda që vidhte naftën në tubacionet e Ballshit

BERAT - Policia e Beratit arrestoi më parë gjashtë persona, të cilët vidhnin naftë në tubacionin Kuçovë–Ballsh. 

Në bazë të informacioneve në rrugë operative dhe denoncimit të bërë nga ndërmarrja e naftës në Ballsh, policia nisi hetimet. Rreth orës 01:00 të së mërkurës, blutë kapën në flagrancë bandën e hajdutëve, të cilët ishin pozicionuar në tubacionin kryesor, në vendin e quajtur Zhavorishtë, midis fshatrave Poshnje e Polizhan. Policia tha se midis tyre ishin edhe dy punëtorë të ndërmarrjes, të cilët ishin në dijeni të orarit të qarkullimit të naftës, pasi tubacionet nuk transportojnë për 24 orë. Sipas policisë, në momentin që pompat do të punonin për të transportuar naftën e përpunuar, (solar), grupi ishte përgatitur për të vjedhur lëngun e zi. Të arrestuarit janë Viktor Tahi, 43 vjeç nga Lushnja, i dënuar më parë për shkelje të qarkullimit rrugor, Luftar Dosti, 38 vjeç nga Roskoveci, i dënuar më parë me të njëjtën akuzë si Tahi, Altin Rama, 37 vjeç nga Roskoveci, i dënuar më parë për vjedhje. Në pranga ra edhe Përparim Protoduari, 37 vjeç nga fshati Poshnje, i cili ishte punëtor në ndërmarrjen e naftës, si dhe një punëtor tjetër i së njëjtës ndërmarrjeje, Ferdinant Sefa 34 vjeç nga Kuçova. Policia tha se te 6 këta persona, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kishin organizuar vjedhjen e solarit në tubacionin kryesor që transporton naftë nga Kuçova në Ballsh. Sipas policisë, vjedhje të tilla në tubacionin kryesor, kryesisht në zonën e Pobratit, Zharrës, Kutalli etj., ishin bërë edhe më parë. Blutë bllokuan ndër të tjera edhe një fuoristradë me targa FR 0282 D që u përkiste të arrestuarve, një gjenerator me fuqi 6500 KË, tuba, çelësa dhe sende të tjera, që shërbejnë si mjetë për vjedhjen e solarit, një sasi lekësh dhe 8 celularë.    d.xh

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›