E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi i Artë, Mesi“përçan” Spanjënzgjodhën Shnajder

MADRID- Dhënia e “Topit të Artë” Lionel Mesit duket se ka përçarë botën e futbollit. Sidomos në Spanjë, mediat vendase nuk duken aspak të kënaqura me këtë verdikt të votimit të FIFA-s dhe revistës France Football. Në një sondazh të zhvilluar nga e përditshmja Marca kanë marrë pjesë 100 mijë persona, 68.2 % e të cilëve e kanë quajtur jo të drejtë dhënien e Topit të Artë Lionel Mesit. 

Argjentinasi triumfoi ndaj dy lojtarëve të Barcelons Andres Iniesta dhe Ksavi Hernandez, duke marrë 22.65 për qind të votave të trajnerëve dhe kapitenëve të ekipeve kombëtare, plus gazetarët sportivë të akredituar. Iniesta mori 17.36 % të këtyre votave, ndërsa Ksavi Hernandez 16.48 %. Por, ky votim i ka bërë spanjollët të ndjehen të mashtruar. E përditshmja sportive AS flet për një fiasko dhe befasi kombëtare, ndërsa Marca shkruan se verdikti ka qenë i padrejtë. Ndryshe qëndrojnë gjërat në Katalonjë, ku të gjithë i gëzohen trofeut të idhullit të tyre. Për të qetësuar zemrat e tifozëve spanjollë kanë menduar Ksavi e Iniesta, të cilët janë shprehur të kënaqur që Topi i Artë u fitua nga një lojtar i Barcelonës. 

Por, ka qenë ndryshimi i rregullave dhe i mënyrës së votimit që e ka bërë Mesin të fitojë këtë trofe për vitin e dytë radhazi. Nëse do të ishin marrë për bazë votat e gazetarëve sportivë ta kredituar nga France Football, siç ka ndodhur në të shkuarën, fitues do të ishte shpallur holandezi Uesli Shnajder.
FIFA ka publikuar sot listën me votat e trajnerëve, të kapitenëve të ekipeve kombëtare dhe të gazetarëve sportivë. Këta të fundit kanë preferuar më shumë Shnajder, duke i dhënë 293 vota, kundrejt 291 të Iniestës. Nëse do të ishte sërish votimi i vjetër, Mesi do të ishte renditur në vend të katërt.

(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›