E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Topi i Artë”, çuditë e votimit për më të mirët e 2010

ZYRIH- Votimi për Topin e Artë i bërë nga trajnerët dhe kapitenët e ekipeve kombëtare si edhe nga gazetarët sportivë, ka dhuruar jo pak surpriza dhe çudi. Publikimi i votave nga FIFA ka zbuluar preferencat e secilit, por edhe mëritë apo mendimet subjektive. Një nga çuditë më të mëdha të votimit është ajo e Holandës.

Ndoshta për të mos favorizuar të tjerët, trajneri Van Marvijk dhe kapiteni Van Bomel kanë votuar për Uesli Shnajder dhe Arjen Roben, ç’ka i bën votat e tyre të pavlefshme, duke qenë se nuk mund të votonin për dy holandezë. Një votim i tillë është komentuar nga të gjithë si mungesë sportiviteti, por edhe si një taktikë për të favorizuar Shnajder. Për trajnerë, Zhoze Murinjo është votuar në masë nga gazetarët, por sidomos nga futbollistët, që i kanë dhënë një votë plebishitare. Të gjithë lojtarët kanë treguar se kanë dëshirë të stërviten prej tij. Por, votimi ka treguar gjithashtu se kolegët tranerë nuk e kanë shumë qejf portugezin, duke preferuar thuajse të gjithë Vicente del Bosken.

Ndërkohë, Uesli Shnajder ka marrë votat e të gjithë kapitenëve që ai i ka shokë skuadre, duke nisur nga Stankoviç i Serbisë, Kivu i Rumanisë, Eto i Kamerunit dhe Pandev i Maqedonisë. Çudi edhe në votimin spanjoll. Iker Kasijas nuk ka votuar Murinjon, teknikun e tij te Reali, ndërsa ka vendosur në vendin e tretë për lojtarë Kristiano Ronaldon. Ky i fundit i ka dhënë vendin e dytë portierit spanjoll, ndërsa të parin Ksavit. Një tjetër habi është vendi i tretë i votuar nga kapiteni i Republikës Domenikane Prins Glenson, që është quajtur i pavlefshëm. Ky vend nuk ka thuajse asnjë lojtar të njohur, kështu që pyetja e të gjithëve është: për kë ka votuar Glenson? Një fakt i fundit, janë votat e kapitenit të Suedise Zllatan Ibrahimoviç. Ibra ka menduar si gazetar, duke i dhënë vendin e parë Iniestës dhe duke mos ngjitur Mesin në pod. Për trajnerë, ai ka vendosur Murinjon në pod, ndërsa Guardiolën nuk e ka futur as në treshen e parë, duke renditur të dytin Del Bosken dhe të tretin Ançelotin. Në fund, për t’u theksuar votat e Shqipërisë. Josip Kuzhe dhe Altin Lala kanë votuar të dy Lionel Mesin për “Topin e Artë”, ndërsa për trajnerë, kroati ka votuar Del Bosken dhe kapiteni kuqezi Murinjon.

(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›