E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi i arte Kasijas favorit

Kur mendon për “Topin e Artë”, siç është bërë traditë në vitet e fundit mendja të shkon te Lionel Mesi apo Kristiano Ronaldo. Ata janë dy prej lojtarëve më të mirë në histori dhe yjet e kësaj epoke në futbollin botëror.
Megjithatë, për “Topin e Artë 2012”, sulmuesit e Barcelonës dhe Realit të Madridit rrezikojnë të mos jenë as në finale. Kjo për faktin se kandidatë potencialë në “Top 3” cilësohen tre futbollistë spanjollë, kampionë kontinentale në Euro 2012 dhe pjesëtar të ekipit të rekordeve që fitoi trofeun e tretë madhor radhazi.
Bëhet fjalë për Iker Kasijas, Ksavi Hernandez dhe Andres Iniestën. Ky i fundit u shpall edhe “Lojtari më i Mirë” i Kampionatit Europian, megjithatë ashtu si në vitin 2010, mesfushori katalan rrezikon ta shikojë trofeun ti ikë sërish nga duart.
Në fakt, si favorit për të fituar trofeun prestigjioz, që është bashkuar edhe me çmimin “Lojtari më i Mirë i Vitit”, duket se është portieri Kasijas. Kapiteni i Spanjës është “sponsorizuar” as më shumë e as më pak, por nga “France Football”, revista pariziene që ka krijuar “Topin e Artë” në vitin 1956.
“Kasijas e meriton trofeun e vitit 2012 për gjithçka që ka bërë”, lexohej në komentin e revistës. Portieri i Realit të Madridit ka koleksionuar 137 ndeshje me përfaqësuesen e Spanjës, duke regjistruar 100 fitore, ndërsa në 75 ndeshje ai nuk ka pësuar gol, duke qenë i pamposhtur për 509 minuta.
Në rast se “profecia” e “France Football” do të rezultonte e vërtetë, Iker Kasijas do të bëhej portieri i dytë në histori që fiton “Topin e Artë”, pas legjendarit Jashin. Ndërkohë, ai do të ishte spanjolli i tretë që e merr trofeun pas Di Stefanos dhe Suarez.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›