E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skoci perjashtohet Glasgou Rejnxhers

Ish-kampionët e Skocisë, Rejnxhërs janë përjashtuar nga Premierliga skoceze, pasi të mërkurën pjesa dërrmuese e 12 klubeve kanë votuar të mos e lejojnë skuadrën nga Glasgou që të luajë në elitë pas krizës financiare.

Votimi ka bërë që në këtë mënyrë të thyhet dominimi që Rejnxhërs, ashtu si edhe kushërinjtë e tyre rivalë, Sëlltik kanë pasur për shumë vjet në kampionatin skocez të futbollit. Megjithatë, ky vendim rrezikon të dëmtojë financiarisht edhe skuadrat e tjera.

Shefi i ri ekzekutiv i Rejnxhërs, Çarls Grin u shpreh shumë i zhgënjyer nga përjashtimi nga kampionati më i rëndësishëm dhe zbuloi disa prapaskena të refuzimit.

“Jemi thellësisht të zhgënjyer që kërkesa jonë për t'u ribashkuar me Premierligën skoceze u refuzua nga shumica dërrmuese e klubeve anëtare të ligës”, tha Grin, i cili shtoi: “Ishim interesuar më parë pranë Ligës, duke pyetur nëse do të ishte më e udhës që të mos aplikonim fare, por na kishin këshilluar ta bënim diçka të tillë. Na vjen keq për klubin dhe për tifozët, që të tjerët na ushqyen shpresa false”.

Tashmë mbetet për t’u vendosur nëse Rejnxhërs do të luajë në Kategorinë e parë, apo klubi me numrin rekord të 54 titujve të fituar do të detyrohet ta nisë ngjitjen nga kategoria e katërt skoceze.

Edhe pse stadiumin “Ibroks” mbushet me mbi 45 mijë tifozë dhe janë një prej skuadrave britanike që kanë më shumë mbështetës, Rejnxhërs kaloi në administrim për shkak të evazionit me 14 milionë dollarë taksa të papaguara, si edhe për një tjetër problem taksimi, që lidhej me mënyrën e pagesës së lojtarëve gjatë dekadës së fundit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›