Alibali: “PR-ja është për krijimin e koalicioneve të mëdha”
Nënkryetari i Partisë Republikane, Neritan Alibali, është shprehur dje për mediat se Partia Republikane mbështet krijimin e koalicioneve të mëdha për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Ai bëri të ditur se është në interesin e partive të vogla bashkëpunimi me partitë e mëdha në zgjedhjet parlamentare. “Është në interes të të gjitha partive, si të vogla, ashtu dhe të mëdha, nga të dy krahët e spektrit politik shqiptar, që të futen në zgjedhje mbi bazë koalicionesh,”- është shprehur Alibali. Sipas tij, “ligji i ri që pritet të bëhet do të jetë një Dushk në favor të partive të mëdha dhe jo si në zgjedhjet e 2005-s, që ishte një Dushk në favor të partive të vogla”. Nënkryetari i republikanëve ka sqaruar gjithashtu se krijimi i koalicioneve, përveçse sjell maksimalizimin e votës për të djathtën, sjell dhe ruajtjen e identitetit politik të secilës parti që futet në zgjedhje. “Partia Republikane nuk është parti e dalë nga PD-ja dhe është një forcë politike që ka fizionominë e saj, luftën e saj, historikun e saj dhe tek e fundit është një aset i konsiderueshëm i pasurisë kombëtare në politikën shqiptare. PR-ja ka qenë gjithmonë që forcat politike, grupimet e interesit, të cilat janë shkëputur dikur për arsye të rrethanave politike historike, të bashkohen me PD-në në mënyrë që koalicionet që do të bëhen të mos jenë koalicione të shumë partive, por të jenë koalicione që janë përfaqësuese të interesave të grupimit të djathtë”,- është shprehur Alibali. Ai gjithashtu ka mbështetur krijimin e koalicioneve të përbëra. “Koalicioni i përbërë është i mirë për faktin se brenda koalicionit ka një skeptër partish të djathta, të cilat përfaqësojnë interesat e grupeve të ndryshme të interesit që jetojnë brenda së djathtës”, - ka përfunduar nënkryetari i PR-së.
27 Gusht 2008