E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bleona, hetime për mesazhet në Facebook

Ekspertët: Të gjitha informacionet e rreme janë hedhur në rrjet nga i njëjti person

Njoftimi i një dite më parë në rrjetin social “Facebook” të internetit lidhur me fatin e Bleonës nuk ka qenë i vetmi i këtij lloji referuar Bleonës. Persona të paidentifikuar kanë tentuar edhe më herët të hedhin mjegull dhe të nxisin qëndrime të caktuara, duke shkruar se 6-vjeçaren e kanë vrarë dhe për këtë nuk duhej të kishte dyshime. Njoftimi anonim i dy ditëve më parë ka pasuar gjithashtu edhe një lumë thashethemesh për Bleonën, në ndonjë rast edhe grotesk, sikur atë e paska gjetur policia dhe se kjo e fundit pritka të kapë autorin etj. Një ekspert i policisë kriminale tha për çështjen se sa më shumë të vonohet rezultati konkret i kërkimeve, aq më shumë hamendje dhe lajme dashakeqe do të ngrihen. Ndërkaq konfirmohet se ka nisur një hetim intensiv për gjetjen e personave që shpërndajnë këto informacione nëpërmjet rrjeteve sociale në internet dhe vënia e tyre përpara përgjegjësisë.

Mashtrimet në “Facebook”

Duke qenë një çështje tepër e ndjeshme, është synuar të paktën tre herë të hidhet tym mes “miqve” në rrjetin social “Facebook” si dhe të përhapin më pas thashetheme në qytet dhe në fshatin e Bleonës. Katër ditë më parë, një adresë e paidentifikuar ka shkruar se “Bleonën e kanë vrarë dhe e kanë bërë copa-copa, pse nuk shkoni ta gjeni?” dhe kur është pyetur nga “miqtë” se “ku është vrarë, ku ndodhet?” përdoruesi anonim i rrjetit ka dhënë përgjigjen me pyetje: “Përse nuk besoni?”. Një përdorues i rrjetit social “Facebook” në Kukës, përkatësisht një mësuese e letërsisë, tha se ishte trishtuar shumë kur në faqen e saj ishte shfaqur informacioni se Bleonën e kanë vrarë. “Nuk e besoni sa shumë u trishtova. Krahas tekstit, njëfarë adrese jo me një emër njeriu por me një emër dukurie që tërhiqte vëmendjen, kishte futur edhe fotografinë e Bleonës. Hyra në lidhje më të duke e pyetur ku është gjetur? E nga adresa u kthye përgjigjja: Aman o njerëz, përse nuk besoni?!”, tha mësuesja për anonimin që e kishte trishtuar me informacionin provokues dhe të tmerrshëm. Ajo tha se menjëherë i kishte treguar një kolegeje të saj dhe për çudinë e vet, edhe ajo të njëjtin mesazh e kishte lexuar.

Hetimet e policisë

Burime të policisë tregojnë se të dyja rastet si dhe ndonjë rast tjetër i njoftimeve të rreme janë studiuar dhe mendohet se kemi të bëjmë me të njëjtin autor apo autore. Drejtori i Policisë së Qarkut të Kukësit, Sadri Ramçaj, tha se informacioni i rremë në internet kishte sjellë shqetësime te njerëzit e familjes dhe tek shumë njerëz të tjerë, pa llogaritur edhe shqetësimin tek forcat e policisë dhe prokurorisë dhe në mënyrë të vetvetishme edhe një farë konfuzioni tek persona dhe struktura të caktuara. Ramçaj tha se po punohet për të zbuluar se nga cili person është nisur mesazhi. Të njëjtën gjë pohojnë edhe burime të afërta me Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Sipas këtyre të fundit, rastet e informacioneve në internet po hetohen në bashkëpunim menaxhuesit e rrjetit dhe, siç tha një efektiv i lartë i policisë kriminale, ndoshta shumë shpejt do të zbardhet se nga erdhi informacioni i rremë. “Mund të ketë një vështirësi në rastin përdoruesve të internetit në salla publike, por hetimet do të ecin përpara pavarësisht vështirësive”, tha ai, duke shtuar se një grup ekspertësh po studion edhe tipin psikologjik të autorit duke u nisur nga shkrimi.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›