E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi investon ne prona dhe banka, Ina Rama shton depozitat

Një vit i mirë financiar mund të konsiderohet për krerët e institucioneve të vendit, viti 2011. Madje, më i mirë për ish presidentin e republikës, Bamir Topi, i cili deklaron se ka investuar jo pak në pasuritë e patundshme, vitin e kaluar. Kështu, ish kreu i shtetit, ka deklaruar një kontratë për ndërtim banese 288m2, me një vlerë 7.276.524 lekësh. Por jo vetëm kaq. Ish kreu i shtetit, deklaron një shtim të llogarisë së tij bankare, në vlerën prej 4.502.960 lekësh, blerje toke në Shkozë, 400.000 lekë, si dhe të ardhura nga kompensimi i pronave, në vlerën 3.662.893 lekë. E pavarësisht këtyre, shtuar edhe të ardhurat vjetore nga paga si president, prej 2.551.443 lekësh, ish kreu i shtetit rezulton se ka marrë një kredi për shtëpi, tek Enti i Banesave, prej 900.000 lekësh. Po kështu, mirë duket financiarisht viti 2011 edhe për Prokuroren e Përgjithshme, Ina Rama. Ndonëse vijon të ketë kredi të pashlyera, në vlerat 14.300 dollarë dhe 137.500 euro, kryeprokurorja deklaron se ka shtuar likuiditetet. Rama deklaron një depozitë kursimi, në vlerën 1.500.000 lekë dhe shtim likuiditeti, 23.000 euro. Të ardhurat nga paga vjetore kapin shifrën 2.334.506 lekë. Ndërsa Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, deklaron një shtesë në gjendjen e saj të llogarisë, në vlerën prej 714.352 lekësh. Si të ardhura për vitin e kaluar, nga paga në Kuvend, Topalli deklaron shumën prej 3.530.014 lekësh dhe të ardhura nga kompensimi i pronave, 1.990.000 lekë. Topalli deklaron gjithashtu, edhe të ardhurat nga aktiviteti i bashkëshortit, në vlerën prej 4.000.000 lekësh. Jo keq duket viti financiar edhe për Kryetarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Arben Ristani. Ai ka deklaruar disa depozita bankare, në vlerat prej 29.788 dollarësh dhe 500.000 lekësh. Ndërkohë, të ardhurat nga paga vjetore, Ristani deklaron se i ka në shumën 1.842.693 lekë, dhe të ardhura të tjera po nga ky institucion, për shpenzime, karburant apo dieta, në vlerën prej 420.000 lekësh. Kreu i KQZ-së, shprehet se ka si të ardhura edhe nga qiradhënia, në vlerën prej 28.464 dollarësh, ndonëse vijon shlyerjen e kredisë për blerje trualli dhe ndërtesë mbi të, në vlerën prej 72.271 euro. Pa shumë ndryshime e ka deklaruar pasurinë e tij, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha. Në deklaratën e tij të pasurisë, janë shënuar të ardhurat nga paga nga muaji gusht 2011, si kryetar bashkie, në vlerën prej 734.162 lekësh, si dhe të ardhurat nga paga e bashkëshortes, 10.808 euro. Ndërsa Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, në deklarimin e tij të pasurisë për vitin e kaluar, kur ishte në postin e Ministrit të Brendshëm, deklaron një depozitë prej 512.112 lekësh, dhe një tjetër me vlerë 6000 euro. Të ardhura nga paga si ministër, 138.000 lekë dhe të ardhura si anëtar i KLD-së, 81.000 lekë. Në deklaratën e tij, ai shton edhe të ardhurat nga dhënia me qira e dyqanit në Durrës, 720.000 lekë, si dhe kreditë e marra për apartament dhe shtëpi, për t'u shlyer, përkatësisht në vlerat 4.255.214 lekë dhe 120.000 lekë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›