E Shtunë, 31 Tetor 2026

Oficeri i Rinasit, 200 kg drogë në Turqi

 

Trazhgim Sokolaj

Nënkomisari Altin Murra, me detyrë oficer policie në Komisariatin e Rinasit, u arrestua dje në Turqi teksa po trafikonte 200 kilogramë heroinë. Zyrtari i policisë shqiptare ra në prangat e Antidrogës turke në Stamboll kur ishte duke udhëtuar me një kamion trajler së bashku me dy persona të tjerë. Sipas raportit të policisë turke mbi ngjarjen, mësohet se bashkë me oficerin e policisë në makinën ku ndodhej droga, u kapën dhe Burhan Markeçi, drejtues i mjetit dhe Nalton Jacaj, nga Tirana. Aksioni është zhvilluar në një nga lagjet e Stambollit pas informacioneve operative që policia kishte marrë nga burimet e saj përfshi edhe përgjimet telefonike. “Nënkomisar Altin Murra, i diplomuar në Akademinë Policore turke, u arrestua së bashku me dy shqiptarët Burhan Markeci nga Dibra, 39 vjeç dhe Nalton Jacaj nga Tirana, i moshës 35 vjeç”, thanë burimet. Sipas tyre, të arrestuarit po udhëtonin me një maune transportuese mallrash, ku ishte fshehur sasia e madhe e lëndës narkotike heroinë.
Zhdukja e oficerit
Oficeri i arrestuar dje në Stamboll, kryekomisar Altin Murra, punonte prej një viti në komisariatin e policisë së Rinasit. Pak ditë më parë, oficeri i shkolluar në Akademinë e Policisë në Ankara, kishte kërkuar leje nga drejtuesit e policisë së Rinasit. Nga të dhënat e verifikuara në sistemin TIMS, ka rezultuar se më datë 2 qershor 2009, oficeri ka udhëtuar nga Shqipëria në drejtim të Turqisë me linjën ajrore. Intervali kohor nga mbërritja e oficerit në Turqi deri në kohën kur ai ra në pranga duke trafikuar 200 kilogramë heroinë mbetet për t’u hetuar. Megjithatë ajo çka konfirmojnë burimet zyrtare është se oficeri sapo ka mbërritur në Turqi ka vendosur kontaktin me dy shqiptarët që ndodheshin në makinën me drogë në kohën kur ndodhi arrestimi. Sipas burimeve nga policia e Rinasit, mësohet se prej datës 2 qershor 2009 deri dje kur është arrestuar, oficeri nuk ndodhej në detyrë, ndërsa nuk ka pasur asnjë kontakt me Policinë e Shtetit.
Hetimi për trafikun
Policia turke ka izoluar në paraburgim tre shqiptarët e arrestuar me 200 kilogramë drogë. Ata mësohet se nuk kanë preferuar të japin deklarime pa praninë e avokatëve mbrojtës. Ndërkaq policia i ka kaluar materialet e arrestimit në Prokurori, me qëllim që ditën e nesërme tre të arrestuarit të dalin para gjykatës për caktimin e masës së sigurisë. Të dhënat e administruara nga policia turke konfirmojnë faktin se ngarkesa e drogës ishte duke u transportuar në drejtim të zonave kufitare, në mënyrë që më pas të kalonte shtetin turk. Besohet se destinacioni i lëndës narkotike ka qenë rruga e vjetër ballkanike, e cila kalon nga Turqia në Rumani, më pas në Maqedoni dhe vijon më tej në Kosovë e Shqipëri drejt vendeve perëndimore.

Oficeri përjashtohet nga policia    
TIRANE – Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka vendosur dje përjashtimin nga radhët e uniformave blu për Altin Murrën, oficerin e Rinasit që u arrestua me drogë në Stamboll të Turqisë. Burime nga Policia e Shtetit në Tiranë thanë se nga konfirmimet në rrugë zyrtare nga Turqia, tregojnë se oficeri ka kryer veprën penale “mbajtje dhe trafikim të lëndëve narkotike” në territorin e Turqisë, ku është arrestuar në flagrancë me 200 kilogramë heroinë. Policia konfirmoi gjithashtu se po kryhen verifikime në lidhje me sasinë e lëndës narkotike për të parë nëse në ngarkesën e bllokuar ka sasi përzierësi apo e gjithë droga është e llojit heroinë.

Shoferi i ambasadës
Një vit më parë, më 28 gusht 2008, shoferi i ambasadës së Shqipërisë në Romë, Arsen Selmanllari, u arrestua nga policia italiane me 1 kilogram kokainë në makinën e tij. Në momentin e ndërhyrjes së policisë ai u tregoi agjentëve të antidrogës një kartë identifikimi, dokument diplomatik, si punonjës i ambasadës, megjithatë policia hapi bagazhin e makinës duke zbuluar lëndën narkotike. Shoferi i ambasadës po lëvizte me makinën diplomatike, ndërsa zyrtarët thanë se nuk ishin në dijeni të këtij fakti. Selmanllari ende nuk është gjykuar për kapjen me 1 kilogram kokainë.

Diplomati në Shkup
Një muaj më parë, sekretari i dytë i ambasadës së Shqipërisë në Shkup, Maqedoni, u arrestua me 60 kilogramë heroinë në Turqi. Agim Haxhiu ndodhej në makinën e tij personale me targa diplomatike në kohën kur policia turke kërkoi t’i bënte kontroll. Sipas burimeve të policisë në Ankara, makina e diplomatit ishte drejtuar për në Edirne në kohën kur 60 kilogramë heroinë u zbuluan brenda saj. Diplomati shqiptar në Maqedoni kishte më se një javë që “ishte zhdukur”, duke braktisur edhe shërbimin diplomatik në kohën kur ra në prangat e policisë turke.

Hetim hyrje-daljeve të oficerit
Menjëherë pas arrestimit të oficerit të policisë së Rinasit, Altin Murra në Turqi, në Tiranë kanë nisur hetimet për aktivitetin e nënkomisarit. Një grup hetimi mësohet se po verifikon të gjitha hyrje-daljet e oficerit për të zbuluar kohën kur ai ka qëndruar në Turqi dhe mundësinë e implikimit në trafik narkotikësh edhe në raste të tjera.   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›