Topi, letër partive për kriteret
ADI SHKEMBI
Pas paraqitjes së kandidaturave për vendet e mbetura vakant në Gjykatën e Lartë, presidenti Bamir Topi u ka çuar letër partive parlamentare për të paraqitur deri të hënën kriteret, që ata i shikojnë të arsyeshme për përzgjedhjen e kandidaturave. Kjo bëhet e ditur nga zyra e shtypit e Presidencës, sipas së cilës kjo letër e kreut të shtetit vjen në frymën e bashkëpunimit ndërinstitucional. "Në frymën e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe të transparencës, Presidenti i Republikës u ka dërguar partive politike parlamentare një letër ku i kërkon, të paraqesin deri ditën e hënë më 30 qershor 2008 pranë grupit të punës për asistencë ligjore mendime dhe sugjerime rreth standardeve dhe kritereve që mund të konsiderohen në përzgjedhjen e kandidaturave të anëtarëve të Gjykatës së Lartë", thuhet në njoftimin për shtyp të kreut të shtetit. Grupi i punës i ngritur në Presidencë për aplikimet e kandidatëve për në Gjykatën e Lartë ka mbyllur dje fazën e parë të pranimit të aplikimeve. Sipas njoftimit për shtyp janë 110 kandidatë, të cilët kanë paraqitur në Presidencë kërkesën që CV e tyre të shqyrtohet nga grupi i punës. "Drejtoria e Informimit Publik të Institucionit të Presidencës bën me dije se deri sot, ditën e martë më 24 qershor 2008, në përfundim të afatit kohor të caktuar numri i aplikuesve për vendet vakante në Gjykatën e Lartë ka arritur në 110 vetë. Të gjitha aplikimet e dorëzuara po përpunohen në Zyrën Juridike të Institucionit të Presidentit të Republikës për t'iu paraqitur më pas grupit të punës të ngritur nga Presidenti Topi për asistencë ligjore", thuhet më tej në njoftimin për shtyp. Në përfundim të marrjes së kritereve që do të paraqesin partitë si dhe shqyrtimit që do ti bëjë grupi i punës, CV-ve të kandidatëve, rreth 20 aplikimet më të mira do të shkojnë në tryezën e kreut të shtetit, i cili ka edhe ekskluzivitetin për të zgjedhur pesë emrat që do të çojë në kuvend. Në listën e aplikuesve janë edhe Gjovalin Përnocaj, kryetari i Gjykatës së Apelit për Krimet të Rënda, Arjana Fullani, drejtoreshë e shkollës së Magjistraturës si dhe Artur Selmani, prokuror në Prokurorinë e Përgjithshme si dhe një prej prokurorëve në çështjen e Azem Hajdarit. Në listën e emrave që Presidenti Topi mund të çojë në Kuvend, janë edhe pesë kandidatët që kreut të shtetit iu rrëzuan pak ditë më parë. Zyrtarisht ligji nuk e pengon Presidentin të dërgojë sërish në Kuvend emrat e Kristaq Trajës, Medi Bicit, Zamir Podës, Altina Xhoxhajt apo Artan Zenelit.
Berisha: OK Topit për grupin e punës
Kryeministri Sali Berisha ka vlerësuar ngritjen nga ana e presidentit të grupit të punës, i cili do të përcaktojë kriteret për përzgjedhjen e kandidatëve për anëtarë të Gjykatës së Lartë. Duke folur në mbledhjen e të hënës në grupin parlamentar të Partisë Demokratike, kreu i qeverisë u shpreh se: "Topi ka bërë mirë që ka ngritur grupin e punës, pasi janë duke u zgjedhur anëtarët e Gjykatës së Lartë. Ne nuk duhet të lejojmë më një krizë mes institucioneve për këtë gjykatë". Më parë Berisha ka qenë kritik për faktin se Topi nuk është konsultuar as me maxhorancën dhe as me Kuvendin për pesë dekretet për Gjykatën.