Basha në Norvegji: Protokolli i NATO-s miratohet brenda vjeshtës
Ministri i Jashtëm, Lulzim Basha, mori dje garancinë gjatë një vizite në Norvegji se parlamenti i këtij vendi do të votojë brenda sesionit të vjeshtës, protokollin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Kreu i diplomacisë shqiptare zhvilloi një takim me homologun e tij norvegjez Jonas Gahr Store. Gjatë takimit, dy ministrat evidentuan marrëdhëniet shumë të mira që ekzistojnë mes dy vendeve. Në këtë drejtim, ministri Basha vlerësoi mbështetjen që Norvegjia ka dhënë në procesin e integrimit të Shqipërisë në strukturat Euroatlantike. Duke informuar mbi zhvillimet e fundit në Shqipëri, në fushat politike dhe ekonomike, ministri Basha vuri theksin në reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare në ekonomi, si dhe efiçencën në luftën kundër korrupsionit. “Ne jemi krenar ta kemi Shqipërinë si pjesë të aleancës së NATO-s dhe jemi të befasuar nga progresi që ka bërë Shqipëria në lidhje me axhendën aktive dhe ambicioze të reformave. Vizita juaj e sotme na jep mundësi të rishikojmë marrëdhëniet tona dypalëshe, të cilat janë të shkëlqyera dhe kanë një potencial shumë të madh për ngritje thelbësore”, tha Ministri i Jashtëm norvegjez gjatë një konference për shtyp. Gjatë kësaj vizite, ministri Basha pati takime me kompaninë shtetërore Statekraft dhe Statoil, nisur edhe nga rëndësia e madhe që Norvegjia i kushton investimeve në fushën e energjisë dhe gazit. Kompania Statekraft, tashmë prezente në Shqipëri që prej vitit 2007, shprehu kënaqësinë e saj për eksesin e madh që qeveria Shqiptare i ka vënë në dispozicion për zhvillimin e investimeve, kryesisht në ndërtimin e hidrocentraleve.