PS: Berisha pranoi dështimin në luftën kundër varfërisë
Për Partinë Socialiste tashmë është mëse e qartë. Edhe vetë kryeministri Berisha ka pranuar dështimin e qeverisjes së tij në luftën kundër varfërisë. Nënsekretari për programin në selinë rozë, Ilir Beqja, tha se është një fatkeqësi e madhe, që kryeministrit Berisha iu desh vizita në Forumin Ekonomik të Davosit për të kuptuar varfërinë ekstreme të shqiptarëve.
“Dje, kryeministri Sali Berisha pranoi publikisht se, edhe pas 44 muajsh në qeverisje, shqiptarëve nuk u mjafton kafshata e qeverisë së tij për të dalë nga varfëria dhe se shërbimet dhe shërbesat e qeverisë së tij nuk arrijnë te shqiptarët e varfër.
Për ironi të fatit, kryeministrit të papërgjegjshëm Sali Berisha iu deshën 4 ditë në Davos për të kuptuar diçka nga realiteti i varfërisë së shqiptarëve”, - tha Beqja. Ai deklaroi se shqiptarët e varfër nuk arrijnë të përfitojnë nga rritja ekonomike e vendit.
“Të dhënat e nivelit mesatar të jetesës dëshmojnë se shqiptarët e varfër nuk arrijnë të përfitojnë nga rritja ekonomike e vendit. Në vitin 2008 hendeku midis të pasurve dhe të varfërve është thelluar kundrejt vitit 2005. Ky hendek është sot më i thellë edhe se në vitin 2002. Shqiptarët sot janë të varfër sepse janë të papunë. Forcat aktive të punës prej vitesh nuk rriten”, - tha Beqja.
4 Shkurt 2009