E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi nderohet me "Honoris Causa" nga Universiteti i Tetovës

Universiteti Shtetëror i Tetovës nderon Presidentin e Shqipërisë, Bamir Topi, me titullin ‘Doctor Honoris Causa’. Titulli iu dorëzua nga Rektori i USHT-së, Agron Reka, me motivacionin, “për arritjet akademike dhe shkencore, si dhe për kontributin e dhënë në të mirë të shoqërisë”.

“Ky titull u ndahet personaliteteve më të njohura për rezultate shkencore dhe për të mirën e njerëzimit. Zotëri president kam kënaqësinë e veçantë tu informoj se Universiteti ynë si institucion mësimor dhe shkencor ka bërë hapa të mëdha dhe të vendosur për të qenë pjesë e zhvillimeve të dijes, kulturës dhe artit”, tha Agron Reka, Rektori i USHT-së.

Ndërkohë, Presidenti Topi u shpreh i emocionuar për marrjen e këtij titulli nga Universiteti Shtetëror i Tetovës. “Unë e veçova këtë emocion të ditës së sotme sepse ky emocion lidhet jo vetëm me praninë në këtë auditor të nderuar, por lidhet edhe me një nostalgji të jetës akademike. Pa dyshim këtë emocione forcohen kur e merr këtë titull të lartë në USHT, që është njëri nga universitetet më të rinj shqipfolës, me një profesorat të nderuar që operon me një kurikulum i cili shkon drejt standardeve më të larta të kurikulës universitare evropiane”, deklaroi presidenti Topi.

Në ceremoni morën pjesë përfaqësues të lartë të institucioneve akademike, politike e kulturore, ndërsa për nder të Presidentit Topi, korri i USHT-së dha një koncert, që u shoqërua nga interpretimet e violinistëve, Sihana Badivuku dhe Blerim Grubi.

Ndërkaq më herët, presidenti Topi së bashku me homologun e tij maqedonas, Gjorgje Ivanov, morrën pjesë në forumin e biznesit mbajtur në Shkup. Bashkëpunimi ekonomik midis Shqipërisë dhe Maqedonisë ka mbetur prapa në krahasim me zhvillimet politike. Në këtë përfundim arritën Topi dhe Ivanov gjatë forumit, ndërsa paralajmëruan se këtë vit prioritet duhet të jenë lidhja rrugore dhe energjetike midis dy vendeve, si dhe hapja e qendrave të biznesit.

Biznesmenët shqiptarë u shprehën të kënaqur me rritjen e vazhdueshme të ekonomisë së tyre, ndërsa biznesmenët maqedonas shprehën zhgënjimin e tyre për nivelin e ulët tregtar midis dy vendeve. Megjithatë, të dyja palët ranë dakort se afërsia e të dy tregjeve dhe karakteristikat e ngjashme të tyre, përbëjnë një mundësi reale për zhvillimin e bashkëpunimit ekonomik dhe tregëtar.

Semra Jakupi/ Jane Dimeski

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›