E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi nderohet me titullin “Kalorës i Paqes i Mijëvjeçarit”

07/12/2008  Presidenti vijon vizitën në Itali. Fton bizneset italiane të investojnë në Shqipëri

Presidenti Bamir Topi është nderuar dje paradite me titullin ndërkombëtar “Kalorës i Paqes i Mijëvjeçarit” nga Bashkimi Ndërkombëtar i Paqes, themeluar nga prof. Xhanfranko Kosta në vitin 1978. Në këtë aktivitet të rëndësishëm të zhvilluar në qendrën e Milanos, merrnin pjesë drejtuesit më të lartë të Bashkimit Ndërkombëtar të Paqes, autoritete të pushtetit vendor, ambasadori shqiptar Llesh Kola, personalitete të shquara të artit dhe kulturës etj. Kreut të shtetit shqiptar iu dorëzua ky titull i lartë për rolin e tij të rëndësishëm në mbrojtje të paqes, solidaritetit dhe dialogut, duke shërbyer si faktor moderues dhe ndikues për paqen në rajonin ballkanik dhe më gjerë, gjithnjë në shërbim të demokracisë dhe vlerave më të larta njerëzore në botë në gjurmët e humanistes së madhe dhe bashkatdhetares së shquar Nënë Tereza. Gjithashtu Zonjës së Parë Teuta Topi iu dorëzua në mënyrë simbolike një degë ulliri për të vlerësuar kontributin e saj të jashtëzakonshëm në promovimin e paqes, humanizmit dhe ruajtjes së vlera më të mira njerëzore. Presidenti Topi, duke iu referuar të pranishmëve në këtë ceremoni tha se ndihet tepër i nderuar dhe i prekur nga ky titull, duke premtuar se do t’i mbajë lart ato vlera duke i çuar edhe më përpara në shërbim të paqes, demokracisë dhe përparimit e begatisë botërore. “Shqipëria flet nga një pozicion tjetër strategjik, sepse është në prag të futjes me të drejta të plota në NATO dhe pranë përmbushjes së aspiratës së saj integruese në familjen e madhe evropiane”, - tha Topi. Kreu i shtetit shqiptar u shpreh se po krijojmë një klimë tjetër, shumë më të qetë në Ballkan. “Pas 17 shkurtit 2008, me shpalljen e pavarësisë së Kosovës, kemi të bëjmë me një realitet të ri gjeopolitik në rajonin tonë. Çdo ditë e më tepër, hap pas hapi luftojmë për paqen, për të përmbushur standardet dhe për ta bërë ëndrrën euroatlantike një realitet të prekshëm”, - tha Topi. Gjatë vizitës në Itali Presidenti zhvilloi një takim me kryetaren e bashkisë së Milanos, Leticia Morati. Ai vuri në dukje marrëdhëniet shumë të mira tradicionale dhe miqësore mes dy vendeve dhe popujve si dhe kontaktet gjithnjë e më të shpeshta politike të të gjitha niveleve. Topi nënvizoi nevojën që marrëdhëniet e shkëlqyera politike dhe raportet e miqësisë tradicionale duhet të konkretizohen edhe me zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik dhe shkëmbimeve tregtare dhe në këtë pikë, rajoni i Lombardisë dhe sidomos qyteti i Milanos mund të luajnë një rol shumë të rëndësishëm. Kreu i shtetit u shpreh se edhe kjo vizitë e nivelit më të lartë, ashtu si edhe ajo e para disa ditëve e Kryeministrit Berluskoni në Tiranë, ka një impakt të madh për zgjerimin e mëtejshëm të këtyre lidhjeve dhe partneritetit të konsoliduar tashmë strategjik, të kësaj klime miqësie dhe besimi mes dy vendeve tona. Në takim u diskutua edhe për tërheqjen e investimeve të huaja, duke theksuar se mundësitë e investimeve të rajonit të Lombardisë dhe bashkëpunimi ekonomik janë shumë të mëdha në fusha si turizmi, energjetika, infrastruktura dhe binjakëzimi i një qytetit të tillë të rëndësishëm si ai i Milanos me kryeqytetin apo qytete të tjera shqiptare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›