Topi nderon 4 regjisorë Mjeshtër i Madh

Topi pas dekorimit të Kukes, Grabockës, Mingës e Priftit
Për kontribut të veçantë në fushën e kinematografisë, televizionit dhe spektakleve artistike, për mbështetjen dhe promovimin e artistëve të rinj, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, dekoroi dje me Urdhrin “Mjeshtër i Madh” katër regjisorë të njohur shqiptarë. Bëhet fjalë për regjisorët Vera Grabocka, Vladimir Prifti, Pali Kuke e Albert Minga, të cilët, pa dyshim, janë disa nga njerëzit që i kanë dhënë më shumë artit të 7-të. Pa e fshehur emocionin që të injekton një ditë si kjo, katër regjisorët, veç falënderimeve për kreun e shtetit, ua dedikuan këto urdhra familjarëve e kolegëve, të cilët u kanë dhuruar besim dhe kanë ecur me ta në rrugën e tyre të vështirë. Ndonjëri prej tyre shfrytëzoi rastin për të tërhequr vëmendjen që arti të shihet më me dashamirësi nga ana e shtetit. “Institucionet ku kam punuar, në Televizionin Publik, apo në Kinostudio, apo në Teatrin Kombëtar, vazhdojmë t’i kemi po ato ndërtesa, vazhdojmë të kemi po atë gjendje, dhe kjo gjithmonë më ka shqetësuar si individ, si njeri, si dashamirës i artit. Jeta e mëpasme le të jetë edhe në interesa që ky art të shikohet më me dashuri, pra përsa i përket televizionit, filmit e teatrit”, tha regjisori Vladimir Prifti. Pas ndarjes së këtyre momenteve emocionale, Presidenti Topi u shpreh se kjo ishte një ceremoni ndryshe nga të tjerat. “Në moshën time dhe në brezin tim, besoj dhe të atyre që kanë ardhur mbrapa më të rinj, vjen gjithçka si një film, ku patjetër pjesë e një memorie të kombit jeni ju që keni ditur të bëni një revolucion të vërtetë në ato institucione, të cilat, për hir të së vërtetës, në mjaft vite kanë qenë të injektuara me shumë ideologji. Por ju keni ditur që brenda asaj klime të ngrini profesionin tuaj, ta bëni atë të absorbueshëm nga publiku dhe sot të nderoheni në radhë të parë për atë modernizim që ju u keni bërë këtyre institucioneve në linjën e spektaklit televiziv, të filmave artistikë. Dhe të mos harrojmë që ju keni konkurruar në një kohë kur Kinostudioja konkurronte denjësisht në tregun, ta quajmë, të filmit artistik. Dhe keni qenë vërtet jo vetëm konkurrues, por në disa elemente të veçanta të këtij konkurrimi keni dalë edhe fitues”, tha Topi.
Dekorate edhe për Kledi Kadiun
Po dje, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka dekoruar me Urdhrin “Mjeshtër i Madh” edhe balerinin Kledi Kadiu, i cili prej vitesh është kthyer në një ambasador të kulturës shqiptare jashtë vendit. Kadiu u dekorua me motivacionin: “Balerinit të talentuar, të edukuar në shkollën shqiptare të artit, që me interpretimin e tij mjeshtëror është bërë një ndër artistët më në zë në Itali, duke luajtur një rol të rëndësishëm në ngritjen e imazhit të Shqipërisë jashtë vendit”.