Monumenti i Pavarësisë do vendoset tek Parku "Rinia"

100 vjet pas shpalljes së Shqipërisë shtet i pavarur dhe sovran, qytetarët shqiptarë do të kenë një monument që i kushtohet kësaj ngjarje historike në qendër të kryeqytetit, tek Parku “Rinia”. Ky në fakt ka qenë vendimi i Komitetit Ndërministror për 100-vjetorin e pavarësisë që ka vendosur që ky monument të jetë me pamje nga Bulevardi "Dëshmorët e Kombit", në krah të Ministrisë së Mbrojtjes.
Gjithashtu Komiteti Ndërministror vendosi që Shtatorja e Ahmet Zogut të vendoset në sheshpushimin në fund të Bulevardit “Zogu I”. Ajo e Hasan Prishtinës në sheshin "Paris", ndërmjet rrugës " Mine Peza" dhe Rrugës së"Durrësit", Shtatorja e Ismail Qemalit në Lulishten në kryqëzimin e Bulevardit "Dëshmorët e Kombit" me rrugën "Ismail Qemali". Monumenti i Kongresit të Lushnjes, në Lulishten qendrore të këtij qyteti.
Kryeministri theksoi se se 100-vjetori i pavarësisë do të festohet gjithandej botës, ku Shqipëria ka përfaqësitë e veta diplomatike. Ai kërkoi që në kuadër të këtyre festimeve të shihet mundësia për prezantim me filmin "Besa", si dhe dokumentari i aktores Eliza Dushku, por duke respektuar të drejtat e autorit. Kryeministri e ka cilësuar një moment të rëndësishëm edhe ngjitjen ne malin Everest të një ekipi alpinistësh shqiptarë, të cilët vendosën atje flamurin kuq e zi. Kjo është një ngjitje historike, theksoi Kryeministri, ndërsa solli vëmendje dhe ngjitje kozmike të flamurit shqiptar në hënë në vitin 1972.