E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi ndez pishtarin për Olimpiadën Speciale

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka ndezur pishtarin e Lojërave Olimpike Speciale, për fëmijët me aftësi të kufizuara. Ceremonia u zhvillua në një prej parqeve kryesore në Pallatin e Brigadave, në një atmosferë mjaft festive. Të pranishëm ishin edhe Zonja e Parë, Teuta Topi, bashkëshortja e Kryeministrit, znj. Liri Berisha, presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Hysen Domi, sekretari i Përgjithshëm, Stavri Bello, kryetari i komisionit teknik pranë KOKSH, Fidel Ylli, përfaqësuesja e Olimpikut Special Ndërkombëtar, Marta Xho Brajiç, drejtues dhe përfaqësues të Ministrisë së Sporteve. Pasi u takua dhe bisedoi përzemërsisht me fëmijët dhe pedagogët e tyre, Presidenti Topi i dorëzoi simbolikisht përfaqësuesit të ekipit të fëmijëve flakën olimpike dhe tha: "Doja t‘ju falënderoja ju të gjithëve, që së bashku me prindërit dhe pedagogët, bëtë të mundur ardhjen e fëmijëve nga gjashtë qarqe të Republikës për Lojërat Olimpike Speciale. Këta fëmijë, brezi i edukatorëve e prindërit të cilët duhen përgëzuar, sepse i kanë dhënë kurajë fëmijëve të tyre, kanë nevojë që të ndjekin këtë rrugë në rritje të sensibilizimit të institucioneve dhe të shoqërisë". Më tej, kreu i shtetit shtoi: "Do bëjmë maksimumin që lëvizje të tilla sportive, në radhë të parë të kenë shprehjen e zhvillimit të personalitetit të çdo njeriu, pavarësisht nga vështirësitë fizike, të cilat në mjaft raste nuk i kemi në dorë. Të marrësh pjesë nuk do të thotë detyrimisht të fitosh. Të marrësh pjesë, do të thotë të pranosh garën. Të marrësh pjesë, do të thotë që ti ke vullnet që të tejkalosh të gjitha vështirësitë". Lojërat Olimpike Speciale filluan zyrtarisht dje në mesditës, në qendrën "Don Bosko" dhe do të vazhdojnë për tri ditë. 250 fëmijët pjesëmarrës në këto lojëra janë të ndarë në 12 skuadra përfaqësuese të qyteteve Berat, Durrës, Elbasan, Lezhë, Korçë, Pogradec, Shkodër I dhe II, Tiranë I dhe II dhe Vlorë dhe do të garojnë në 5 disiplina: futboll, basketboll, pingpong, atletikë dhe bouling.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›