Topi, në Mal të Zi për panairin e librit shqip
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, së bashku me Zonjën e Parë, Teuta Topi, në krye të një delegacioni shqiptar, ka marrë pjesë dje në çeljen e Panairit IX të Librit Shqip, që zhvillohet në qytetin historik të Ulqinit, në Mal të Zi. Vizita e Presidentit shqiptar bëhet me ftesë të kryetarit të Komunës së Ulqinit, Gëzim Hajdinaga. Në këtë takim, bashkë me Presidentin Topi ka qenë edhe Presidenti malazez, Filip Vujanoviç, dhe së bashku ata kanë përuruar ngritjen e siparit të këtij aktiviteti të rëndësishëm kulturor rajonal. Panairi i Librit Shqip të Ulqinit, i cili këtë viti mbërrin në edicionin e nëntë të tij, zhvillohet nën kujdesin e drejtpërdrejtë të kryetarit të komunës, Gëzim Hajdinaga, si dhe me mbështetjen e Ministrisë së të Drejtave dhe Pakicave Kombëtare të Malit të Zi. Në këtë panair gjejnë hapësirë ekspozimi libra letrarë në prozë e në poezi, studime albanologjike, historike, enciklopedike, fjalorë me autorë dhe shtëpi të ndryshme botuese nga të gjitha trevat e populluara nga shqiptarët: Shqipëria, Mali i Zi, Kosova, Maqedonia etj.