PD, Mëhilli: Rama, bashkëpronare me Delijorgjin
Partia Demokratike u kundërpërgjigjet sulmeve të opozitës ndaj familjes kryeministrore se është Edi Rama bashkëpunëtori kryesor i Sh.p.k.-së së Delijorgjit. Zëdhënësja e PD-së, Erla Mëhilli, duke reaguar pas sulmeve ndaj familjes së Kryeministrit Sali Berisha, bëri të qartë se ''Rama ndërmori sulmin e radhës ndaj familjes kryeministrore nëpërmjet nënkryetarit të tij të ri, Veliaj, por Rama më parë duhet të japë përgjigje për marrëdhëniet e tij me Delijorgjin''. ''Rama duhet t'u japë përgjigje shqiptarëve për 30 lejet e ndërtimit dhënë Delijorgjit dhe shumat e përfituara prej tij, shumat e paguara nga Delijorgji për të kaluar pushimet në Kretë dhe Barcelonë, si dhe natyrën e 200 telefonatave të bëra ndërmjet tij dhe Delijorgjit'', - tha Mëhilli. Sipas saj: ''Të gjitha këto fakte për kreun e PS-së të çojnë në bindjen se ai ka qenë bashkëpronari kryesor i Sh.p.k.-së së Delijorgjit''.
Xhuveli: Ne, faktor në fitoren e 28 qershorit
Partia Agrare Ambientaliste kërkon të kthehet në një faktor përcaktues për fitoren e së djathtës në zgjedhjet e 28 qershorit. PAA-ja mblodhi dhe KPD-në e saj, ku u bënë të ditur edhe objektivat për zgjedhjet e 28 qershorit. Sipas kryetarit Lufter Xhuveli, kjo forcë politike synon të bëhet një faktor përcaktues në formimin e qeverisjes së ardhshme me rezultatin që do të arrijë në zgjedhje. Xhuveli vuri në dukje se për PAA-në këto zgjedhje janë veçanërisht të rëndësishme. “PAA-ja synon të arrijë një fitore të dyfishtë, të arrijë objektivin e parashikuar dhe të jetë forcë përcaktuese në fitoren e koalicionit ku bëjmë pjesë. Nga njëra anë arritja e një përfaqësimi dinjitoz në Parlamentin e ardhshëm do të rriste shanset për një përfaqësim më të plotë të programit tonë agraro-ambientalist në programin e qeverisë së ardhshme", - theksoi z. Lufter Xhuveli, kryetar i PAA-së. Pak kohë më parë, Lufter Xhuveli rikonfirmoi bashkëpunimin e tij me Partinë Demokratike pas marrëveshjes që nënshkroi me Kryeministrin Sali Berisha.