E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi në Ohër: Partitë shqiptare të nisin bashkëpunimin

Në orët e pasdites presidenti Bamir Topi është takuar në Ohër në takime të veçanta me liderët e partive shqiptare në Maqedoni, kryetarin e PDSH-së Menduh Thaçi dhe atë të BDI-së, Ali Ahmeti. Në takime është folur sidomos për rritjen e një fryme të re bashkëpunimi kryesisht midis forcave politike shqiptare në një kohë kur këto parti po kalojnë një fazë të ftohtë marrëdhëniesh mes tyre.

Presidenti Topi deklaroi pas dy takimeve se u ka kërkuar dy liderëve që të takohen dhe të bisedojnë për rrugët e bashkëpunimit të mirëpërfaqësimit të komunitetit shqiptar në Maqedoni. Zoti Thaçi deklaroi se është i hapur të takojë zotin Ahmeti, madje të shkojë edhe në zyrën e këtij të fundit. Po ashtu, edhe zoti Ahmeti deklaroi gadishmërinë për një gjë të tillë, gjë kjo që sipas tij do të ndihmonte edhe integrimin e Maqeonisë.

Gjithashtu presidenti Topi ka nënvizuar faktin se një frymë e re midis partive shqiptare do të ndihmonte edhe në zbatimin e marrëveshjes së Ohrit. Ai u bëri thirrje atyre që të punojnë në mënyrë konstruktive për zbatimin e kësaj marrëveshje.

Më herët gjatë ditës, pas një takimi me presidentin Cervenkovski, zoti Topi u ka kërkuar edhe partive maqedonase që të respektojnë firmën e hedhur për marrëveshjen e Ohrit. Presidenti i Republikës e ka cilësuar tejet të rëndësishëm rolin e komunitetit shqiptar në maqedoni edhe në marrëdhëniet midis dy vendeve.

Po kështu gjatë ditës së sotme është pritur edhe në një takim dhe drekë pune nga Kryetari i Bashkisë së Ohrit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›