Topi në Prishtinë: Të drejtat e serbëve të jenë të njëjta me shqiptarët e Preshevës

Pavarësia, thirrje për të ardhme të sigurt të brezave
Prishtinë, 8 janar 14:28 NOA – Presidenti i Shqipërisë gjendet në Kosovë ku sot mbajti një fjalim në Kuvendin e Republikës, në Prishtinë.
Duke folur për pavarësinë, Topi vuri në dukje se historia, më në fund, vendosi drejtësi, sepse përmbushi një vullnet, një aspiratë apo një ëndërr shekullore të një populli të shtypur; ajo shpërbleu shumë mund, djersë, gjak, dhimbje dhe sakrifica sublime; ajo nderoi shpirtin e një populli për të mos u përulur, revoltën e studentëve, Luftën Çlirimtare të Kosovës dhe Ushtrinë e saj, përpjekjet e liderit politik, Presidentit të ndjerë, Dr. Rugovës, veprën heroike të Adem Jasharit dhe të të gjithë dëshmorëve të rënë për të vendosur drejtësi.
”Por kjo fitore, - tha Presidenti, - është vetëm përfundimi me sukses i një beteje të gjatë, lufta dhe sfida sapo ka filluar, ajo është thirrja për të ndërtuar paqen e mirëqenien e qëndrueshme dhe të ardhmen e sigurt të brezave.
”Pavarësia e Kosovës erdhi sepse duhet të jepte shembullin pozitiv të një investimi të suksesshëm të demokracive perëndimore në një hapësirë të njohur tradicionalisht për dhunë etnike dhe politike, për të mbyllur përfundimisht kalvarin dhe makthin e stërgjatur të shpërbërjes së perandorisë së fundit të dhunës në zemër të Europës dhe zgjidhjen e çështjes së fundit të mbetur pezull të Ballkanit Perëndimor”, vijoi Topi.
Më tej Presidenti foli për zhvillimet në Kosovë: “Respektimi dhe garantimi i të drejtave të njeriut dhe të minoriteteve është parim universal. Ai duhet të jetë njëlloj i zbatuar sa në Shqipëri, aq edhe në Kosovë apo në Serbi, si në qendër të Shqipërisë, aq edhe në veri të Kosovës apo në Luginën e Preshevës”.
këtu ai u shpreh se vullneti i palëkundur i autoriteteve të Kosovës, qëllimi e përgjegjësia e misionit bashkëpunues EULEX me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe e KFOR-it nuk do të lejojnë që incidentet e dhunshme, të cilat jo vetëm mbjellin frikë e mosbesim në Mitrovicë, por edhe zgjojnë ëndrra të segmenteve të inkriminuara nacionaliste ballkanike, të sfidojnë qëllimet e larta të sovranitetit, të integrimit e të sigurisë jo vetëm të Republikës së Kosovës, por edhe të rajonit tonë.
“Dallimi midis atyre që gjenerojnë dhunë, atyre që e pësojnë atë dhe atyre që i kanë shpallur luftë asaj është parimor në situata të tilla. Kuptohet se integrimi i të gjitha komuniteteve etnike në shoqërinë kosovare dhe në jetën politike është një sfidë e vështirë, sidomos për komunitetin serb, por është rruga e vetme për të gjithë ata që besojnë në të ardhmen e tyre, rrugë e cila duhet të përballohet me sukses”, - deklaroi Presidenti.
a.b/NOA