E Diel, 1 Nëntor 2026

Dhuna nga oficeri i policisë, djali i Azem Hajdarit dëshmon në gjykatë

 

TIRANE - Kirjol Hajdari, djali i madh i ish-liderit të "Dhjetorit '91", Azem Hajdari, dëshmoi dje në Gjykatën e Tiranës momentin e përplasjes me efektivët e Policisë së Rendit të Komisariatit numër dy të kryeqytetit mesnatën pas 6 korrikut 2007. 23-vjeçari dëshmoi se ai dhe miqtë e tij që e shoqëronin kishin konsumuar sasi të konsiderueshme vere e shampanje dhe kishin nisur të flisnin me zë të lartë, dhe për pasojë të situatës kishte mbërritur policia. Ai pohoi gjithashtu se nuk e mbante mend policin që e kishte qëlluar, por kishte fiksuar vetëm faktin që ishte civil. Pas kësaj ai u pyet nga mbrojtja e ish-oficerit të krimeve që ndodhet nën akuzë, Oltion Bistri, për të shpjeguar faktin se si dhe cili person kishte thyer xhamat dhe dyert e makinave të policisë. Hajdari iu përgjigj kësaj pyetje se nuk mbante mend për shkak të alkoolit të shumtë që kishte konsumuar. Në këtë moment avokati i të pandehurit ngriti pretendimin se 23-vjeçari e kishte thyer dorën gjatë kohës që kishte thyer mjetet e policisë. Ndërsa duke analizuar thëniet e dëshmitarit të dëmtuar, avokati i të pandehurit pohoi se 23-vjeçari mbante mend mirë të gjitha goditjet që kishte marrë nga policët, por nuk shprehej për çfarë kishte bërë vetë. Hajdari, i cili vuajti pasojat më të rënda pas përplasjes me policinë, pasi përfundoi në spital me krahë të thyer, ishte dëshmitari i parë i këtij procesi. Seancat e ardhshme pritet që të pyeten personat e tjerë të pranishëm në grindje, policë dhe ata që shoqëronin Hajdarin.               fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›