E Diel, 1 Nëntor 2026

Arvizu: Punësimi i personave me aftësi të kufizuar, e drejtë themelore

TIRANË- Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Aleksandër Arvizu theksoi sot, në konferencën për personat me aftësi të kufizuar se, punësimi i personave me aftësi të kufizuar është një e drejtë themelore e njeriut.

“Për ta bërë këtë të mundur është e rëndësishme që shtetet të trajtojnë çështjet e pabarazisë në vendet e punës dhe të luftojnë diskriminimin në vendet e punës. Ky është në proces i gjatë dhe jo i lehtë dhe ne në SHBA kemi punuar për dekada të tëra, por ende nuk kemi arritur aty ku duam”, tha Arvizu.

Sipas ambasadorit Arvizu, Shqipëria ka bërë progres të rëndësishëm, përsa i përket edhe legjislacionit, por duhet më shumë punë kundër diskriminimit të personave me aftësi të kufizuar. Arvizu e cilësoi konferencën si një mundësi për nxitjen e politikave për integrimin e personave me aftësi të kufizuar në shoqëri.

“Konferenca do përcjellë shembuj pozitiv të këtyre personave në ekonominë e Shqipërisë. Konferenca është mundësi që rrit ndërgjegjësimin për reforma që rrisin shanset për punësim të këtyre personave. 650 milionë njerëz nëpër botë vuajnë aftësinë e kufizuar, ndaj është e vështirë të thuash që kjo është çështje e parëndësishme që ndikon vetëm tek një grusht njerëzish”, theksoi Arvizu.

Sipas ambasadorit Arvizu, pavarësisht viteve të punës dhe kornizës ligjore për të integruar këta persona duhet shumë për të bërë, veçanërisht në fushën e punësimit. Arvizu tha se, duhen ndërmarrë reforma të qëndrueshme për personat me aftësi të kufizuar në Shqipëri. "Vetëm një shoqëri gjithëpërfshirëse është një shoqëri e zhvilluar", theksoi ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Aleksandër Arvizu.
(ma.ar/ata/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›