Topi, niset për vizitë zyrtare, në Austri

Presidenti Bamir Topi është nisur sot për një vizitë zyrtare dyditore në Vjenë, me ftesë të Presidentit të Republikës të Austrisë, Hajnc Fisher. Sipas faqes zyrtare të Presidencës, mësohet se Kryetari i Shtetit shqiptar do të zhvillojë një takim e bisedime zyrtare me Presidentin austriak Fisher.
Temë qendrore e bisedimeve do të jetë perspektiva e zhvillimit të mëtejshëm dhe e konsolidimit të marrëdhënieve mes dy vendeve dhe popujve tanë si dhe forcimi i dialogut politik në nivelet më të larta.
Gjatë qëndrimit në Austri, presidenti Topi dhe Zonja e Parë, do të zhvillojnë një takim edhe me përfaqësues të diasporës shqiptare, që punojnë dhe jetojnë në Austri.