E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi nuk tërhiqet, sfidon Berishën

Presidenti Bamir Topi sfidon
Kryeministrin Sali Berisha.
Negociatorët e PD-së të dërguar
në Presidencë nga kreu i
qeverisë janë kthyer mbrapa me
mesazhin se Presidenti nuk do të
tërhiqet nga dekretet për Gjykatën
e Lartë. Duke sfiduar Kryeministrin,
por edhe mazhorancën, kreu i
shtetit i ka përcjellë mesazhin
Kryeministrit Berisha që të kërkojë
të gjejë 71 vota për të rrëzuar dekretet
e Topit në Kuvend. Në këtë
mënyrë kanë dështuar negociatat
mes PD dhe Presidentit Bamir Topi
për të tërhequr dekretet e kreut të
shtetit për pesë anëtarët e Gjykatës
së Lartë. Pas më shumë se dy orësh
takim në Presidencë, kreu i shtetit
ka përcjellë me duar bosh dy të
deleguarit e Berishës, Astrit Patozin
dhe Ilir Banon. Negociatorët e PD,
përveçse i përcollën Presidentit
qëndrimin kritik të Kryeministrit
Berisha për faktin se kreu i shtetit
nuk është konsultuar me Kryetaren
e Kuvendit për caktimin e kandidaturave
për Gjykatën e Lartë kanë
marrë me vete edhe mesazhin e
Presidentit për kreun e qeverisë, se
dekretet e tij duhet të rrëzohen në
Kuvend me 71 vota, pasi kreu i shtetit
i ka treguar dje vendosmërinë
nënkryetarit të PD-së për të mos u
tërhequr nga kandidaturat e propozuara
prej tij në Gjykatën e Lartë.
Mesazhi i Presidentit i është transmetuar
menjëherë Kryeministrit
Berisha nga deputeti Patozi. Deputetët
e PD-së kanë dalë të pakënaqur
nga takimi me Presidentin
Topi, i cili është treguar i vendosur
për t‘i shkuar deri në fund pesë
propozimeve që ai ka bërë për
Gjykatën e Lartë. Takimi mes Presidentit,
kryetarit dhe nënkryetarit
të grupit të PD-së është zhvilluar
me dyer të mbyllura dhe asnjë nga
palët nuk është prononcuar zyrtarisht
mbi detajet konkrete të takimit
që kishte në thelb krisjen institucionale
Presidencë-Qeveri-Kuvend.
Negociatat e djeshme ishin
edhe një shenjë e dukshme për të
treguar ftohtësinë mes Presidentit
dhe Kryeministrit, të cilët kanë evituar
takimet kokë më kokë kohët e
fundit.
"Unë mund t‘ju them me dy fjali që ishte takim i hapur miqësor.
Jemi partizanë të dialogut dhe
shpresojmë që të gjendet një
zgjidhje sa më e drejtë dhe më e
pranueshme". Kështu është shprehur
kreu i grupit kuvendor të PDsë,
Astrit Patozi, pas daljes nga
Presidenca, i cili në dukje të parë
nuk dukej edhe aq optimist. Prononcimi
i vetëm i Astrit Patozit në
përfundim të takimit lë të kuptohet
se kreu i shtetit nuk ka ndërmend
të lëvizë nga dekretet e tij për
Gjykatën e Lartë. Duke marrë parasysh
përmasat që ka marrë konflikti
i hapur mes Presidentit dhe
Kryeministrit, vlen të theksohet se
në pozitat aktuale, Presidenti i Republikës
nuk mund t‘i kthejë
mbrapsht dekretet e tij dhe tashmë
rruga e vetme për t‘i dhënë
zgjidhje kësaj çështjeje është
vetëm votimi në Kuvend.
Negociata për anëtarët
Dy emrat e kundërshtuar nga
Partia Demokratike, për Gjykatën
e Lartë janë Zamir Poda dhe
Kristaq Traja. Burimet pranë partisë
në pushtet konfirmojnë faktin
se një ndër pikat e negociatave
mes kreut të grupit parlamentar
demokrat, Astrit Patozit, dhe Presidentit
Bamir Topi ka qenë edhe
tërheqja e këtyre dy emrave nga
dekretet e kreut të shtetit për të
plotësuar vendet e ngelura bosh
në Gjykatën e Lartë. Qëndrimi i
PD-së është bërë me dije gjatë
mbledhjes së grupit kuvendor të
Partisë Demokratike ditën e hënë,
ku Kryeministri caktoi edhe dy
negociatorë për t‘i përcjellë mesazhin
e bashkëpunimit Presidentit
Topi me Kuvendin. Për të evituar
një takim të mundshëm mes
Berishës dhe Topit, kreu i qeverisë
ka ngarkuar me mision numrin dy
të PD-së, Astrit Patozin. Ky i fundit,
megjithëse e ka cilësuar
takimin mes tij dhe Presidentit si
miqësor dhe institucional nuk ka
dhënë detaje të mëtejshme nëse
këto negociata do të vazhdojnë
edhe në ditët në vijim, apo të tregojë
një rezultat përfundimtar
lidhur me dekretet e anëtarëve të
Gjykatës së Lartë. Pas përfundimit
të takimit, kreu i grupit të PD-së
ka informuar shefin e qeverisë
mbi ecurinë e negociatave,
ndërkohë që brenda kampit blu
nuk është bërë asgjë publike, çka
tregon qartë se negociatat kanë
dështuar.

Uidhers dhe Lohan mbështesin Topin: Po mbron institucionet

Ambasadorët e BE-së dhe SHBA-së, takime me Presidentin, Topallin e Berishën

Konflikti mes institucioneve
të larta të shtetit shqiptar
po merr çdo ditë e më
shumë përmasa shqetësuese,
duke futur në lojë fuqishëm faktorin
ndërkombëtar. Diplomatët
perëndimorë të akredituar në Tiranë
kanë rritur aksionin e tyre
politik, duke mbështetur hapur
Presidentin e Republikës dhe institucionet
e tjera të pavarura. Pas
takimit të ambasadorit të SHBA-së
në Tiranë me Kryeprokuroren Ina
Rama, ka qenë kreu i shtetit, Bamir
Topi, "stacioni" i radhës për diplomatët
më të rëndësishëm të
Perëndimit, përkatësisht të Uashingtonit
dhe Brukselit që kanë
mbërritur në selinë e Presidencës
dhe kanë dhënë mbështetje të
fuqishme politike, për Presidentin
Bamir Topi. Dje, në zyrën e kreut
të shtetit kanë zhvilluar takime individuale, njëri pas tjetrit, ambasadori
i SHBA-së, Xhon L. Uithers,
dhe kreu i Delegacionit të Bashkimit
Evropian në Tiranë, ambasadori,
Helmut Lohan, të cilët kanë
inmbështetur
fort Presidentin Topi,
në linjën e tij për të ruajtur pavarësinë
e institucioneve kushtetuese.
Takimet janë zhvilluar me
dyer të mbyllura, duke mos u bërë
publike shumë detaje rreth tyre.
Por, sipas njoftimit të zyrës së shtypit
pranë Presidentit, bëhet e
ditur se Topi ka pritur të parin ambasadorin
e BE-së, Lohan. Biseda
ka zgjatur nga ora 10:00 deri në
orën 11:00, ku zyrtarisht bëhet e
ditur se "është diskutuar rreth situatës
politike në vend, reformave
të ndërmarra, forcimit të shtetit ligjor
dhe të institucioneve demokratike
të pavarura, ndarjes dhe ekuilibrimit
të pushteteve, si edhe ruajtjes
e përmbushjes së standardeve
të nevojshme për integrimin
e Shqipërisë në familjen e
madhe evropiane". Po, sipas këtij
njoftimi, theksohet se ambasadori
Lohan, në kuadër të përpilimit të
Raportit Vjetor të Përparimit të
Shqipërisë, u informua dhe shkëmbeu
mendime me Presidentin
Topi rreth zhvillimeve më të
fundit në Shqipëri, reformës në
sistemin e drejtësisë dhe atë zgjedhore,
procedurave ligjore të
emërimit të anëtarëve të Gjykatës
së Lartë dhe ligjit të legalizimeve.
Për të njëjtat çështje, kreu i shtetit
shqiptar, Bamir Topi, ka diskutuar
edhe me ambasadorin e SHBA-së,
Xhon Uithers. Sipas njoftimit të
bërë po nga zyra e shtypit e Presidentit,
bëhet e ditur se kreu i shtetit
"i ka shprehur mirënjohjen
për ndihmesën e vazhdueshme
dhe mbështetjen e fuqishme të
aleatit tonë më të madh e më të
rëndësishëm Shteteve të Bashkuara
dhe popullit amerikan,
dhënë vendin tonë në forcimin e
shtetit ligjor, të demokracisë, institucioneve
të pavarura demokratike,
ndarjes dhe ekuilibrimit të
pushteteve dhe përmbushjen e
aspiratave integruese të Shqipërisë
në strukturat euroatlantike.
Ndërsa ambasadori Uithers,
pasi ka vlerësuar rolin moderator
dhe pozitiv të Presidentit Topi, në
garantimin e Kushtetutës dhe të
pavarësisë së institucioneve
demokratike e kushtetuese, e siguroi
kreun e shtetit shqiptar mbi
mbështetjen e fuqishme e të
palëkundur të Shteteve të Bashkuara
për demokracinë shqiptare,
për sistemin e drejtësisë dhe institucionet
e pavarura, si edhe për
integrimin e plotë të Shqipërisë në
NATO". Gjithashtu dje pasdite
ambasadori Uithers ka takuar
edhe Kryetaren e Kuvendit, Jozefina
Topalli. Takimi është zhvilluar
larg mediave, duke mos bërë të
ditur asnjë detaj konkret rreth tij.
Ky takim ka ardhur pas deklaratës
së ashpër të bërë tri ditë më parë
nga ambasadori amerikan drejtuar
Topallit, ku i kërkohej të mos
ndërhynte në kompetencat e institucioneve
të tjera dhe të përshpejtonte
punën për heqjen e imunitetit
të Mediut dhe votimin dekreteve
të anëtarëve të rinj të
Gjykatës së Lartë. Deklarata u
kuptua mjaft mirë nga Kryetarja
Topalli, e cila një ditë më pas, zbuti
tonet e saj, duke thënë se Kuvendi
do të votojë shumë shpejt heqjen
e imunitetit të Mediut, si dhe publikoi
dekretet që i mbante në zyrë
prej gati dy javësh.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›