Topi për kufijtë me Greqinë: “Kam besim te Gjykata Kushtetuese”
TIRANË - Presidenti Topi thekson angazhimin e tij të plotë për transparencën e Marrëveshjes detare me Greqinë, ndërsa shpreh besimin ndaj vendimit të Gjykatës Kushtetuese për këtë çështje, duke deklaruar se gjithçka do të jetë në mbrojtje të interesave kombëtare të vendit. Gjatë konferencës për shtyp me homologun turk ai iu përgjigj interesit të medias në lidhje me paktin për ndarjen e ujërave territoriale me shtetin fqinj. Topi deklaroi se nuk mund të ndërhyjë gjatë shqyrtimit të procesit nga Kushtetuesja dhe se Presidenti vendos vetëm me dekret, pasi gjithçka të kalojë nga Kuvendi.
“Kam shprehur të gjithë angazhimin tim institucional për transparencë lidhur me këtë proces. Së dyti, kam thënë që duhet të respektojmë institucionet e Shqipërisë”, - theksoi kreu i shtetit. Ai sqaroi se “nuk jam shprehur gjatë procesit, sepse Presidenti, në momentin që marrëveshja vjen nga Parlamenti, shprehet me dekret. Duhet të pres vendimin e Gjykatës dhe do të shprehem në momentin që kam aksesin për t’u shprehur. Nuk mund të interferoj në këtë proces që do të vazhdojë të realizohet me korrektesë në mbrojtjen e interesave kombëtare”, - theksoi presidenti Topi.
Marrëveshja për kufijtë detarë me Greqinë po shqyrtohet në Gjykatën Kushtetuese pas animimit të Partisë Socialiste dhe disa partive opozitare. Kjo bllokoi kalimin për procedurë votimi të dokumentit në Kuvend, pasi pakti ishte miratuar nga qeveritë e Athinës dhe Tiranës që në muajin prill të këtij viti.
11 Dhjetor 2009