Qeveria i lë pa adresa shqiptarët deri në gusht të vitit 2010
TIRANË – Shtyhen sërish afatet për përfundimin e sistemit të adresave në Shqipëri, ndonëse qeveria kishte vendosur afat fundin e vitit 2009. Ministria e Brendshme njoftoi dje zyrtarisht se procesi do të përfundojë në gusht të vitit 2010. Përveç fondeve, ka qenë edhe neglizhenca e qeverisë për të realizuar këtë proces, i cili duhej mbyllur ligjërisht para hedhjes në qarkullim të kartave të reja të identitetit. Mungesa e sistemit të adresave ka qenë në shënjestër të kritikave të ndërkombëtarëve. Gjatë ditës së djeshme, OSBE-ja dhe Zyra e Komisionit Europian në Shqipëri njoftuan dhënien e një fondi prej 4 milionë eurosh që do të përdoret nga Zyra e Përgjithshme e Gjendjes Civile.
Kritikat
Mungesa e një sistemi të mirëfilltë adresash e ka kthyer Shqipërinë në vendin më kaotik në Europë. Qyteti që e pasqyron më mirë këtë gjendje është Tirana. Ambasadori i Komisionit Europian, Helmut Lohan, i cili ka vite që jeton e punon në kryeqytetin shqiptar, tregon se sa e pamundur është për çdo person të orientohet në Tiranë. "Në Shqipëri akoma identifikoheni me emërtimet e godinave. Dëgjoj shpesh shprehje të tilla si: Duhet të shkoj pranë ish-pastiçerisë ‘Flora’; jetoj pranë stadiumit ‘Dinamo’, apo prindërit e mi e kanë shtëpinë afër ekspozitës ‘Shqipëria Sot’. Në Tiranë është e pamundur të gjesh rrugën për të shkuar diku, përveç rasteve kur di se ku shkon. Kjo është për të qeshur, por jo gjithmonë”, - thotë Lohan. Por, ai thotë edhe anën tjetër të medaljes, teksa vazhdon ironinë e tij therëse për strukturat e pushtetit: “Ndihesh keq kur letrat, sendet, apo çdo gjë që prisni me postë nuk ju vijnë. Është shqetësues fakti që shteti dhe administrata nuk komunikojnë me qytetarët", - tha dje përfaqësuesi i Komisionit Europian në Tiranë. Por, “halli” që ka zënë zyrtarin e Brukselit është vetëm për pak kohë; shqiptarët, për rreth 20 vjet, nuk marrin në shumicën e rasteve letrat apo pakot e miqve dhe të afërmve të tyre, nuk gjejnë shtëpitë e njëri-tjetrit dhe kjo vetëm për fajin e drejtuesve të institucioneve të tyre.
Shtyrja
Ministria e Brendshme njoftoi dje se ka shtyrë afatin e përfundimit e afatit të sistemit dixhital të adresave. Vetëm pak kohë më parë, zëvendësministri Ferdinand Poni urdhëroi bashkitë që numërimi dhe emërtimi i rrugëve, lagjeve apo godinave të përfundonte para zgjedhjeve të 28 qershorit. Edhe sot, dhjetëra njësi vendore nuk e kanë përfunduar këtë proces për shkak të mospërputhjes së hartës satelitore me terrenin që ndryshon përditë. Pavarësisht kësaj, zëvendësministri Poni ka deklaruar një tjetër afat për përfundimin e sistemit të adresave, i cili shkon në gushtin e vitit 2010. Sipas projektit për dixhitalizimin e sistemit të adresave, çdo rrugë dhe banesë do të ketë numër dhe emërtim të ri. Por, me përfundimin e këtij projekti, zyrave të Gjendjes Civile do t’u duhet të përshtatin adresat e reja te të dhënat e çdo personi të pajisur me kartën e identitetit.
Baza e të dhënave të sistemit të adresave, mbështetur në një hartë dixhitale, u prezantua në një ceremoni të mbajtur dje. Kjo bazë të dhënash është krijuar nga Ministria e Brendshme dhe autoritetet vendore, me ndihmën e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, nëpërmjet mbështetjes financiare të BE-së.
Ky sistem i ri adresash, me bazë internetin, do të bëjë të mundur regjistrimin e saktë të shtetasve në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile. Gjithashtu, ai mundëson edhe kërkimin elektronik të adresave.
Qeverisja vendore ka pasur afat për dorëzimin e të dhënave të adresave në Ministrinë e Brendshme deri më 30 shtator të këtij viti, por projekti i quajtur “LAMP” nuk arriti të finalizohet me sukses. Për të mësuar emërtimet e rrugëve, lagjeve dhe ndërtesave do të na duhet të presim deri në vitin 2010.
Donatorët, 4 milionë euro që shqiptarët të gjejnë rrugën
Dy institucione ndërkombëtare në Shqipëri kanë ofruar 4 milionë euro për realizimin e sistemit dixhital të adresave në vendin tonë. Shuma është deklaruar në takimin e zhvilluar dje mes OSBE-së, zyrës së Komisionit Europian dhe Ministrisë së Brendshme. Zëvendëskryetarja e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Renate Herrmanns, tha se ky sistem shënon një hap përpara drejt standardeve të BE-së. Qytetarët me banim në Shqipëri do të kenë tashmë mundësi të identifikojnë adresat e tyre, ndërsa dhënia e shërbimeve publike bazë mund të përmirësohet, si për shembull përmes marrjes së masave në mënyrë më të shpejtë në raste situatash emergjence.
BE-ja ka akorduar 2.5 milionë euro për krijimin e sistemit të adresave dhe 1.5 milionë euro për vendosjen e tabelave të emrave të rrugëve. Që të dyja këto projekte zbatohen nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri. Gjithashtu, gjatë ceremonisë prezantuese, kryetari i Prezencës, ambasadori Robert Bosh dhe kryetari i Bashkisë së Sarandës, Edmond Gjoka, nënshkruan një marrëveshje për vendosjen e tabelave të emrave të rrugëve për t'u dhënë mundësi banorëve dhe turistëve të orientohen më mirë në këtë qytet.
Në pamundësi të zgjidhjes së problemit nga qeveria e tyre, tashmë shqiptarët do ta gjejnë kollaj rrugën, sepse paratë për vendosjen e tabelave dhe adresave do t’i japin të huajt.
11 Dhjetor 2009