E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi pret Zhigalov, diskuton për dialogun politik

Presidenti Topi e njohu z. Zhigalov me disa prej zhvillimeve më aktuale në vend, duke u ndalur në mënyrë të veçantë në ato politike, ku ecuria e tryezës politike dhe rivendosja e dialogut mes maxhorancës dhe opozitës ishte në fokus të bashkëbiseduesve.

Një temë tjetër diskutimi ishte edhe në përpjekjet që institucionet dhe strukturat e posaçme shqiptare po bëjnë për reformimin e sistemit të drejtësisë, sipas standardeve evropiane dhe demokratike me synim, integrimin në familjen e madhe evropiane.

I dërguari i posaçëm i OSBE-së, Zhigalov vlerësoi rolin e Presidentit Topi në mbajtjen e tryezës politike mes maxhorancës dhe opozitës dhe vuri në dukje rëndësinë e rivendosjes së dialogut politik, hyrjes së opozitës në Kuvend. Ai nënvizoi shpresën se për Komisionin Hetimor Parlamentar do të arrihet një marrëveshje, me qëllim funksionimin e plotë dhe normal të jetës politike dhe të institucioneve në vend. Në takim të dy personalitetet diskutuan dhe për situatën në rajon, duke theksuar rolin pozitiv, konstruktiv e promotor të Shqipërisë për paqen dhe qëndrueshmërinë rajonale.

Presidenti Topi vuri në dukje edhe dëshirën dhe vullnetin e Shqipërisë për të marrë kryesinë e radhës së OSBE-së në vitin 2014, një ambicie që u mbështet edhe nga Zhigalov, që vlerësoi bashkëpunimin e frytshëm të vendit tonë me këtë organizatë dhe marrëdhëniet produktive dypalëshe mes Shqipërisë e Kazakistanit edhe në kuadrin e organizatave të tjera ndërkombëtare si NATO.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›