E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi pret ambasadorin britanik: Objektiv kryesor marrja e statusit në 2012

TIRANË- Presidenti i Republikës së Shqipërisë Bamir Topi vlerëson se përshpejtimi i procesit të integrimit është ndër objektivat më kryesor të shtetit shqiptar në këtë prag të 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë.

Këto deklarata Topi i bëri gjatë takimit të zhvilluar paraditen e sotme me Ambasadorin e Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Mbretërisë së Bashkuar në vendin tonë, Nikolas Kanon Obe, i cili paraqiti Letrat-kredenciale.

“Përshpejtimin e procesit të integrimit të plotë të Shqipërisë dhe marrjen e statusit të vendit kandidat për në Bashkimin Evropian brenda vitit 2012, që përkon edhe me 100-vjetorin e Pavarësisë”,- deklaroi Topi.

Zyra e Presidencës bëri me dije se gjatë takimit, Kreu i Shtetit shqiptar dhe Ambasadori britanik ndanë të njëjtat pikëpamje për sa i përket rëndësisë së pavarësisë së institucioneve kushtetuese, të konsolidimit të gjyqësorit dhe parimeve të demokracisë për ndarjen dhe ekuilibrin e pushteteve, të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar si dhe përmbushjes së reformave dhe kritereve të kërkuara për integrimin në Bashkimin Evropian.

Nga ana e tij ambasadori Obe përgëzoi Presidentin Topi për përmbushjen e misionit të tij kushtetues si simbol i unitetit të popullit, shprehu “vullnetin dhe gatishmërinë e Mbretërisë së Bashkuar për të mbështetur Shqipërinë në rrugëtimin e saj integrues për në Bashkimin Evropian”.
(el.me/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›