I kapuri me drogë, ish shofer i Rrugëve
TIRANE- Droga e bllokuar të shtunën në mbrëmje nga antidroga e kryeqytetit, mësohet se ishte programuar për t’u shpërndarë gjatë periudhës së netëve të vitit të ri nga i arrestuari Bina Dobrusha. Një fakt i tillë është pohuar për gazetën “Panorama”, nga burime të Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Dobrushi 48 vjeç, ish-shofer i Drejtorisë së Transportit Rrugor, mësohet se ishte një shitës heroine, që iu shiste shpërndarësve të vegjël sasi të ndryshme heroine, që në të shumtën e rasteve kapnin sasitë nga 50-100 gramë e deri në 300 gramë. Kapja e tij me një sasi prej 400 gramë heroinë të futur në pjesën e brendshme të xhupit, dy ditë më parë në rrugën “Dora d’Istria”, ishte sasi më e madhe, që ai kishte menduar të shiste. Sipas burimeve të policisë, Dobrusha dyshohet se kishte më tepër se tri vite që ishte përfshirë në shitjen e heroinës në Tiranë. Për këtë qëllim ai ishte munduar të shfrytëzonte moshën e tij të madhe, duke menduar se mund të mos binte në sytë e agjentëve të antidrogës.