E Shtunë, 31 Tetor 2026

Festat dhe emigrantët, 29 karambole në rrugët e Tiranës brenda një dite

 

TIRANE – Kthimi i emigrantëve në vend me rastin e festave të fundvitit rrit ngarkesën në trafikun rrugor si dhe karambolet. Vetëm të shtunën, policia e kryeqytetit ka regjistruar 29 raste karambolesh mes automjeteve në akset e ndryshme rrugore. Dita e djeshme sipas burimeve të policisë deri rreth orës 20:00, ka pasur një ngarkesë normale për situatën e trafikut të shtuar gjatë periudhës së fundvitit. Gjatë ditës së djeshme janë regjistruar rreth 20 karambole mjetesh të ndryshme, por pa pasoja në njerëz dhe vetëm me dëme materiale. Drejtuesit e Policisë së Tiranës, kanë urdhëruar të merren masa të ashpra ndaj shoferëve të alkoolizuar apo që ecin me shpejtësi mbi normat e lejuara. Në dy ditët e fundit sipas burimeve intensiteti i incidenteve rrugore ka qenë më pak se 25 raste në ditë. E shtuna duket se ka qenë mbi mesataren, ndërsa gjatë ditës së djeshme janë regjistruar rreth 20 të tillë. Rasti flagrant sipas burimeve është ai një automjeti të policisë bashkiake, i cili është përplasur me një mjet tjetër në korsinë e emergjencave në rrugën e Durrësit. Blutë kanë bllokuar të dy mjetet si dhe patentat e drejtuesve të automjeteve, të cilët sipas policisë kanë kryer të dy shkelje të rregullave të qarkullimit, për të mos ecur në një korsi të rezervuar. Në të gjitha rastet e tjera policia ka marrë masa administrative ndaj drejtuesve të mjeteve të konstatuar si shkaktarë të incidenteve rrugore. Veç gjobës, oficerët dhe agjentët e Policisë Rrugore u kanë bllokuar dokumentacionin drejtuesve të mjeteve shkaktarë të karamboleve, si dhe lejet e drejtimit të mjeteve. Me qëllim shmangien e aksidenteve, policia ka ashpërsuar masat ndaj drejtuesve të automjeteve, që kapen me shpejtësi tej normave të lejuara, me sasi alkooli tej përqindjes së lejuar, si dhe për shkelje të tjera. Vetëm gjatë dy ditëve të fundit të kësaj jave, Policia Rrugore ka bllokuar më tepër se 50 dëshmi për drejtim automjetesh, të cilët janë ndaluar nga efektivët blu kryesisht me shpejtësi dhe përdorim alkooli. Vetëm gjatë të shtunës, blutë kanë bllokuar dëshmitë e aftësisë për drejtimin e mjetit së paku në 21 raste të ndryshme. Në 9 raste patentat janë bllokuar për konsumim alkooli, në tetë për shpejtësi dhe katër për arsye të tjera. Bllokimi i patentave është shoqëruar madje, edhe me vendosjen e gjobave përkatëse sipas rasteve. Ndërkaq, policia ka bllokuar gjatë ditës së shtunë dhe të diel rreth 13 mjete të ndryshme, që sipas burimeve kanë qenë në kërkim nga Policia Rrugore për gjoba dhe arsye të tjera. Ekspertët e Policisë Rrugore kanë pohuar se shtimi i mjeteve është reflektuar ende shumë pak në trafikun e kryeqytetit, që pritet të ketë ngarkesa më e madhe në ditët përpara dhe pas vitit të ri.                            da.bi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›