E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi rrëzon Laskajn, dy emra të rinj në ILDKP

Presidenti Bamir Topi ka nxjerrë dje dekretin për t'i propozuar Kuvendit dy kandidatura për kryeinspektor në Deklarimin dhe Kontrollin e Pasurive. 

Zyra e shtypit e Presidentit bëri të ditur dje se "Në mbështetje të nenit 93 të Kushtetutës dhe të nenit 11, paragrafi 2 të ligjit nr.9049, datë 10.04.2003 "Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë", i ndryshuar, dekretoj  Adriatik Llalla dhe Bashkim Dedja i propozohen Kuvendit të Shqipërisë për postin e inspektorit të Përgjithshëm për Kontrollin e Deklarimit të Pasurive". Ky dekret i kreut të shtetit vjen vetëm pak ditë pasi kryeinspektores së deklarimit të pasurive, Fatmira Laskaj i përfundoi mandati pesë vjeçar. Burime nga Presidenca bëjnë të ditur se Adriatik Llalla aktualisht është anëtar i Këshillit të Prokurorëve. Gjithashtu, ai ka ushtruar edhe postin e zv/prokurorit në Prokurorinë e Tiranës si dhe ka qenë prokuror në Fier dhe Lushnje. Llalla vjen nga shtresa e ish të përndjekurve dhe të dënuarve politikë. Ndërsa kandidatura tjetër për në krye të ILDKP-së, Bashkim Dedja është prej disa vitesh gjyqtar magjistrat në Durrës. Dy emrat për në ILDKP pritet t'i nënshtrohen procedurave të reja që janë vendosur pas miratimit të rregullores dhe më pas do të votohen në Kuvend, ku kandidati me më shumë vota do të jetë edhe pasardhës i Laskajt.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›