E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi takon Krivokapiç: Mbështetje për liberalizimin e vizave

TIRANë- Presidenti Topi priti sot Kryetarin e Parlamentit të Malit të Zi, Ranko Krivokapiç. Bashkëbiseduesit vlerësuan si të rëndësishëm rritjen e kontakteve dhe shkëmbimin e përvojave në nivele specialistësh ndërmjet strukturave parlamentare të dy vendeve. Topi tha gjithashtu se në kuadër të liberalizimit të vizave Shqipëria mirëpret bashkëpunimin dhe përvojën malazeze. "Shqipëria është e interesuar të bashkëpunojë me Malin e Zi në kuadër të integrimit europian", ndërsa vlerësoi se "përvoja malazeze në fushën e integrimit dhe liberalizimit të vizave është shumë e vlefshme për vendin tonë". Duke vlerësuar marrëdhëniet mes dy vendeve, Presidenti Topi shprehu bindjen se "ato do thellohen dhe konsolidohen më tej në të ardhmen, në të mirë të nxitjes e përparimit të proceve integruese evropiane të Shqipërisë dhe Malit të Zi". "Vizita të tilla nxisin dhe rrisin dialogun parlamentar dhe janë thelbësore për marrëdhëniet dhe bashkëpunimin mes politikanëve të vendeve tona", tha Presidenti Topi. Presidenti Topi shprehu bindjen se "bashkëpunimi në kuadër të proceseve integruese do të rriste kontaktet mes dy popujve, si dhe lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave". Kreu i Shtetit u shpreh gjithashtu për intensifikimin e bashkëpunimit dypalësh në fushat me interes të ndërsjelltë, sidomos në sektorin ekonomik e turistik, në ruajtjen dhe shfrytëzimin më të mirë të mjedisit dhe pasurive natyrore, etj. Kryeparlamentari malazez, Krivokapiç vlerësoi se vizita të tilla ndihmojnë në ecjen përpara në rrugën e përbashkët drejt anëtarësimit në NATO dhe në Bashkimin Europian. Bashkëbiseduesit vlerësuan se "një element domethënës në kuadër të realizimit të reformave integruese është dhe rritja e kontakteve dhe shkëmbimi i përvojave në nivele specialistësh e më gjerë ndërmjet strukturave parlamentare të dy vendeve respektive"(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›