Berisha- Rama ne tryeze, Topi takon kreun e OSBE
TIRANE- Presidenti i Republikës Bamir Topi vijon sot takimet me përfaqësues ndërkombetar të akredituar në Tiranë. Dy dite para tryezës mes liderëve kryesorë të dy forcave kryesore politike ne vend, Sali Berisha dhe Edi Rama presidenti zhvilloi sot paradite një takim me kreun e OSBE në Tiranë, Robert Bosch.Zyra e presidencës informon se takimi i presidentit Topi me shefin e presidencës së OSBE-së Robert Bosch është bërë në kuadër të konsultimeve që Kreu i shtetit po zhvillon në prag të tryezës politike së të shtunës.Në takim thuhet se presidenti Topi falenderoi mbështetjen që OSBE-së ka dhënë në lidhje me tryezën politike si dhe për të gjithë asistencën që ka luajtur në fusha të ndryshme. “Kreu i shtetit shqiptar pasi e falenderoi Ambasadorin Bosh për deklaratën e djeshme mbështetëse ndaj rolit dhe tryezës politike të thirrur nga Presidenti, vlerësoi si shumë të frutshëm e të vlefshëm rolin dhe asistencën e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri për konsolidimin e institucioneve demokratike, forcimin e shtetit të së drejtës, si dhe respektimin e të drejtave të njeriut.”Nga ana e tij Ambasadori Bosh- vazhdon njoftimi për shtyp- shprehu edhe njëherë vlerësimin për rolin e Presidentit Topi duke e siguruar njëkohësisht atë për të gjithë gatishmërinë e OSBE-së për të ofruar përvojën dhe asistencën e saj në rifunksionimin e suksesshëm të demokracisë parlamentare shqiptare.Takimi vjen pasi Presidenti takoi në fillim të kësaj jave ambasadorin e KE, Helmut Lohan, ambasadorin e SHBA-së John Withers, ambasadorin e Spanjes, Montobio, si dhe ambasadorin gjerman Boshard.Nderkaq nje dite me parë përmes një deklarate për mediat OSBE deklaroi se mirepret nismën e Presidentit të Republikes se Shqipërisë për të organizuar një tryezë politikë te rrumbullakët, si një hap konstruktiv dhe inkurajues drejt zgjidhjes se ngërçit politik aktual. Edhe Ambasada Amerikane nepermjet nje njoftimi per shtyp te shperndare dje ne media deklaroi se mbështet presidentin Topi dhe përshëndet zhvillimin e tryezës politike. Ambasada amerikane beson se “ky proces ofron një mundësi të rëndësishme për zgjidhjen pa vonesë të mëtejshme të ngërçit aktual politik.” Me tej SHBA i bën apel partive politike të kontribuojnë në zgjidhjen sa më të shpejtë të ngërcit për të vazhduar më pas në procesin Euro- Atlantik të Shqipërisë.Tryeza që do të ulë përballë dy kundërshtarët politikë, do të zhvillohet të shtunën më 13 shkurt 2010, në orën 11:00, në selinë e presidentit.Dy partitë vlerësojnë thirrjen e tryezës por vazhdojnë të mos lëshojnë pe. Kreu i PS-së Edi Rama deklaroi dy dite me pare se hapja e kutive është një kusht i patjetërsueshëm me të cilën do të shkojë në tryezën e së shtunës. Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi deklaroi se maxhoranca do të pranojë nga kjo tryezë vetëm zgjidhje që burojnë nga brenda kuadrit ligjor dhe rekomandimeve të rezolutës së Këshillit të Europës. Zëvendëspresidenti i Parlamentit Europian, Libor Roucek pas takimit me liderin e opozitës Edi Rama, i cili ndodhet ne Strazburg tha se hetimi i zgjedhjeve është i domosdoshëm për të zbardhur të vërtetën dhe për të garantuar shqiptarët që probleme të tilla të mos ndodhin më. Ai shprehu besimin se presidenti është i aftë të arrijë kompromisin.(s.g/BalkanWeb)