E Diel, 1 Nëntor 2026

Fullani: Bankat tona nuk rrezikojnë falimentimin

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Ardian Fullani në një konferencë për shtyp ka dhënë siguri financiare. Pas krizës që tronditi tregjet botërore të aksioneve, Fullani garanton se asnjë prej bankave që operon në vendin tonë nuk rrezikon falimentim. 

TIRANE- Shqipëria nuk është e rrezikuar nga kriza financiare që pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka përfshirë edhe Evropën, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Ardian Fullani, në një konferencë për shtyp ka garantuar se paratë e shqiptarëve të depozituara në banka janë të sigurta.
Në fjalën e tij Fullani tha se, “Shqipëria nuk është vend i intoksikuar dhe sistemi bankar shqiptar nuk ka asnjë krahasim me vendet e tjera të cilët kanë banka dhe institucione financiare me humbje të mëdha.”
Guvernatori ka deklaruar se edhe në rastin e rëndimit apo të shtrirjes në kohë të krizës financiare, pasojat në vendin tonë nuk do te ndihen tek depozitat, por në treguesit e tjerë të ekonomisë si eksportet dhe investimet.
“Një krizë e zgjatur dhe e rënduar nëse do të vazhdojë në ekonominë globale do ti ketë kryesisht efektet e saj në eksportet tona si dhe investimeve direkte, por duke pasur parasysh përdorimin e të ardhurave nga emigracioni kryesisht për importet mendoj se kjo do të jetë një mbështetje e mirë për të mos pasur një ndikim të fortë”, tha Fullani.
Kreu i Bankës së Shqipërisë ka shtuar se do të rritet vigjilenca në monitorimin e situatës. Në këtë kuadër institucioni mbikëqyrës bankar u ka kërkuar bankave të nivelit të dytë që të nxjerrin rezultate pozitive në bilancet e tyre.  (a.r/news24/balkanweb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›