E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi takon të përndjekurit: Ju mbështes

TIRANË- Presidenti i Republikës Bamir Topi priti në presidencë përfaqësues të shoqatës mbarëkombëtare për integrimin e të burgosurve dhe të përndjekurve politikë dhe të qëndrës Shqiptare për rehabilitimin e traumës dhe torturës.

Ish përndjekurit e falenderuan kreun e shtetit për vëmendjen e vazhdueshme në përkujtimin e sakrificave sublime të mjaft të dënuarve e të ekzekutuarve gjatë sistemit komunist dhe mbështetjen e fuqishme në përpjekjet për nxjerrjen në dritë të të vërtetave të hidhura të regjimit diktatorial.

Shembujt me të fundit të kësaj vëmendjeje dhe kujdesi të veçantë janë dekorimet e presidentit të Republikës për të përndjekurit dhe viktimat e diktaturës komuniste. Si dhe çeljen e foto-ekspozitës “Demokracia nuk ndërtohet mbi harresen”, në mjediset e presidencës, e cila qëndroi e hapur për ditë të tëra dhe u vizitua nga njerëz të moshave e profesioneve të ndryshme.

Presidenti Topi u shpreh se do të vazhdojë të shfaqë mbështetjen e tij të plotë institucionale dhe njerëzore për të përndjekurit politikë, duke u shprehur se do të bëje çdo përpjekje brenda kuadrit ligjor dhe kushtetues për përfaqësimin dhe integrimin e mëtejshëm të kësaj shtrese në mbarë spektrin politik dhe shoqëror të vendit.

(e.m/news24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›