E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Kriminelët shqiptarë i kemi kapur”

18/02/2009  Ministri anglez i Shtetit për policinë e sigurinë takon ministrin Nishani e kryepolicin Prençi

Pala shqiptare: Jemi në rregull me policinë angleze, problem mbetet drejtësia

TIRANE- Autoritetet britanike do të bëjnë të pamundurën për ekstradimin e personave të kërkuar nga policia shqiptare. Garancia u dha nga ministri i Shtetit për Policinë, Krimin, Sigurinë dhe Çështjet e Brendshme të Mbretërisë së Bashkuar, Vernon Coaker, i cili dje zhvilloi një takim me ministrin e Brendshëm, Bujar Nishani, dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi. Pikërisht duke marrë shkas nga deklarata e pak kohëve më parë të Prençit se 100 kriminelë shqiptarë fshihen në Angli, Coaker është shprehur se shumica e personave të kërkuar nga autoritetet shqiptare janë arrestuar nga policia britanike. Ky fakt, sipas tij, tregon bashkëpunim midis dy policive dhe jo neglizhencën e njëra-tjetrës. Veç të tjerash ministri Vernon Coaker dha dhe një mesash të qartë për policinë e shtetit në këto pragzgjedhjeje, që sipas tij ato janë shumë të rëndësishme për vendin tonë.

Takimi Nishani-Coaker

Ministri i Brendshëm Bujar Nishani në takimin me ministrin e Shtetit të Mbretërisë së Bashkuar për Policinë, Krimin dhe Sigurinë, Vernon Coaker, njohu këtë të fundit me disa nga arritjet kryesore të Shqipërisë në luftën kundër krimit të organizuar, trafiqeve të paligjshme dhe korrupsionit, forcimin e sigurisë në vend dhe kontributin e vazhdueshëm për sigurinë dhe bashkëpunimin rajonal. Nishani nënvizoi si tregues kryesor të këtyre arritjeve goditjen gjatë tre vjetëve të fundit të rreth 300 grupeve të krimit të organizuar dhe vënien para drejtësisë të afro 1000 anëtarëve të këtyre grupeve. “Gjatë kësaj kohe falë bashkëpunimit me agjencitë e zbatimit të ligjit në vendet perëndimore, me Europol-in dhe Interpol-in, janë ekstraduar dhe vënë para drejtësisë rreth 250 persona”,- tha ministri Nishani. Duke vlerësuar rritjen e profesionalizimit të Policisë së Shtetit dhe luftën me tolerancë zero kundër të gjitha veprimtarive kriminale, ai evidentoi faktin se gjatë kësaj kohe nuk ka pasur asnjë humbje jete në radhët e policisë, përkundrejt 180 punonjësve të policisë që kanë humbur jetën gjatë viteve 1997-2005. Nga ana tjetër ministri Vernon Coaker shprehu kënaqësinë për progresin dhe arritjet e Shqipërisë në luftën kundër veprimtarive kriminale, e po ashtu për bashkëpunimin e deritashëm mes strukturave policore shqiptare dhe britanike.

Kryepolici Prençi e Coaker

Në takimin midis drejtorit të policisë së shtetit dhe ministrit britanik, ju vu rëndësi çështjes së ekstradimeve midis Shqipërisë dhe Anglisë. Lidhur me këtë problem, Coaker garantoi drejtorin Ahmet Prençi se ai do të bënte të pamundurën për të zgjidhur ngërçin. Gjatë bisedës Coaker tha se “jo të gjithë shqiptarët që jetojnë në Britani janë kriminelë. Por, nga ana jonë ne jemi të gatshëm për arrestimin e personave të kërkuar nga ana juaj dhe mirëpresim çdo lloj informacioni që mund të keni për shtetasit e kërkuar. Unë ju premtoj se do të bëj të pamundurën për ti ekstraduar të kërkuarit për në vendin tuaj”. Nga ana tjetër Ahmet Prençi, deklaroi se fatkeqësisht në Britaninë e Madhe jetojnë disa shtetas shqiptarë të kërkuar nga ana jonë për disa vepra penale. Prençi i vuri në dukje Coakerit se me policinë britanike autoritetet shqiptare kanë pasur bashkëpunim të shkëlqyer, por në disa raste nga ana e gjykatave është refuzuar ekstradimi i tyre drejt vendit tonë. Ndërkohë, ministri i Shtetit për Policinë, Krimin, Sigurinë dhe Çështjet e Brendshme të Mbretërisë së Bashkuar, Vernon Coaker, dha një mesazh në adresë të policisë, sidomos në këto pragzgjedhjeje. “Shumë e rëndësishme në punën e policisë është ndarja e saj nga politika. Gjithmonë policia duhet të jetë e pavarur dhe të bëjë punën e saj”, deklaroi Vernon Coaker. Mësohet se ky i fundit ka mbërritur në Shqipëri, pasi ka marrë pjesë në bordin e palëve të interesuara, i cili është autoriteti më i lartë për sigurimin e zbatimit të suksesshëm të projektit “Misioni i Asistencës Policore në Shqipëri”. Në këtë takim ishin të ftuar edhe ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, dhe Aneil Singh, përfaqësues i delegacionit të KE-së në Tiranë, si dhe persona të tjerë, të cilët mbështesin misionin PAMECA.

Bogdani

Armand Bogdani nga Librazhdi kërkohet nga drejtësia shqiptare pasi më 4 korrik të vitit 2002 tentoi të trafikonte në Greqi 1,720 kilogramë kanabis. Ai është arrestuar më 5 gusht të 2007-s në qytetin e Nottinghamit, por ka fituar leje qëndrimi përgjithmonë në Angli.

Emigracioni

Andreu Green nga zyra e Emigracionit thotë se “është problem serioz që njerëzit e akuzuar, ose thjesht të përfshirë në krime të rënda, shumë lehtë përfitojnë azil në Britani, teksa vetëm një pjesë e kriminelëve ndodhen aktualisht në Mbretërinë e Bashkuar”.

Justifikimi i drejtësisë britanike për ekstradimet

Avokatët britanikë zbulojnë një justifikim të ri për bllokimin e ekstradimeve të shtetasve shqiptarë, të arrestuar në Angli për llogari të drejtësisë shqiptare. Bëhet fjalë për ngritjen e argumentit se nëse shqiptarët "wanted" të ekstraduar nga Anglia nuk do të rigjykohen, pasi ata janë dënuar në mungesë. Rigjykimi, në shtetet që kërkojnë ekstradimin e një personi nga Anglia, është një nga kushtet e lëshimit të certifikatës së ekstradimit, e cila parashikohet nga akti britanik i ekstradimeve, i miratuar në vitin 2003. Ky argument është përdorur në disa procese ekstradimesh.

Kushtet për të përfituar azil në Angli

Azil përfitojnë ata që kanë kërkuar azil në Angli përpara datës 24 tetor 2003, familjet që kanë të paktën një fëmijë nën moshën 18 vjeç, i cili ka jetuar në Angli deri më 24 tetor 2003, kur çështja e familjeve për azil nuk është shqyrtuar ende, kur kërkesa u është refuzuar, kur çështja u është refuzuar nga gjykata, por familjet nuk janë larguar ende nga Anglia dhe kur u është refuzuar azili, por kanë një leje qëndrimi të përkohshme. Azilin e humbasin familjet që kanë persona të dënuar nga drejtësia, janë subjekt i një sjelljeje me pasoja antisociale, kanë aplikuar më shumë se një herë, kanë kërkuar azil në një vend tjetër dhe ata që konsiderohen të rrezikshëm për sigurinë kombëtare

Deklarata e kryepolicit Prençi

Shefi i policisë shqiptare, Ahmet Prençi, ka deklaruar disa ditë më parë se gjykatat britanike po pengojnë forcat policore për të ekstraduar të dënuarit shqiptarë. “Ne kemi bërë një listë të shqiptarëve, të cilët fshihen në Mbretërinë e Bashkuar. Janë rreth 100 kriminelë, ku pothuajse 80% e tyre janë të kërkuar për vrasje dhe janë dënuar me formë të prerë”, ka thënë Ahmet Prençi. Më tej, kryepolici shqiptar shtoi se ata kanë përfituar nënshtetësi britanike, në vend që policia shqiptare ti ekstradojë për të vuajtur dënimin në vendin tonë. Shumë prej tyre janë paraqitur si kosovarë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›