Topi ul Sejdiun me krerët e rajonit
vlore / qemal biraku
Në kulmin e fushatës zgjedhore, Presidenti Bamir Topi ka gjetur kohën për të zhvilluar një takim me rëndësi rajonale në Vlorë. Kreu i shtetit ftoi në një takim informal në qytetin bregdetar homologët e tij, Presidentin e Kosovës, Fatmir Sejdiu, Presidentin e Malit të Zi, Filip Vujanoviç dhe Presidentin e Maqedonisë, Gjeorgje Ivanov. Në të njëjtën kohë ky ishte takimi i parë rajonal, në të cilin merrte pjesë edhe Presidenti i Kosovës. Pas dy ditë takimesh, krerët e katër shteteve ranë dakord për bashkëpunimin mes dy vendeve, rritja e sigurisë në rajon dhe për të punuar së bashku në integrimin e vendeve tona në strukturat euro-atlantike. “Kemi diskutuar rreth nevojës së thellimit të punës dhe bashkëpunimit për sigurinë në rajon, për luftën kundër kriminalitetit, patjetër dhe për krijimin e një klime atraktive për të gjithë investitorët, që vijnë nga jashtë rajonit tonë. Ne shprehëm së bashku dëshirën që të gjithë vendet e rajonit që kanë të njëjtën aspiratë të integrimit euroatlantik, t’u bashkohen këtyre interesave dhe shpreha mendimin që vendet e Bashkimit Evropian do të na vlerësojnë më shumë, nëse vendet tona do të bashkëpunojnë dhe do të rrisin standardet ekonomike dhe të mirëqenies”, u shpreh Presidenti Topi në hyrje të konferencës së përbashkët për shtyp. Nga ana e tij, Presidenti i Maqedonisë, Ivanov, theksoi se ajo që deri pak kohë më parë nuk mendohej për sa i përket bashkëpunimit të vendeve të rajonit, tashmë është diçka reale. “Ne thamë se ajo që ishte e paimagjinueshme për prindërit tanë, ne tani po e realizojmë për brezat e ardhshëm, për të jetuar një jetë më të mirë, në një botë më të mirë. Jemi dëshmitarë që në një periudhë të shkurtër po arrijmë të përballemi për të kaluar paragjykimet që na vijnë nga e kaluara”, theksoi Ivanov. Por ky takim rajonal i ka shërbyer më shumë Malit të Zi dhe Kosovës për të zgjidhur dy çështje kyçe, kthimin e qytetarëve kosovarë në shtëpitë e tyre si dhe përfaqësimi i komunitetit malazez në parlamentin e Kosovës. Lidhur me këtë çështje, Presidenti Sejdiu tha se, “kemi biseduar me Presidentin Vujanoviç që çështja është trajtuar jashtë pranisë si komunitet. Në një farë mënyre ka qenë një abuzim i shumicës serbe, po themi të komunitetit serb që i ka trajtuar si serbë; prandaj nuk duam t’ua lëmë fajin kërkujt. Procesi i ka paraprirë kohës. Kohën dhe vullnetin e kemi”. Ndërsa për sa i përket kthimit të qytetarëve kosovarë në shtëpitë e tyre, Presidenti i Malit të Zi, Vujanoviç theksoi se, “në komunikimet që kam bërë me ta dhe me qeveritë do të bëjmë ç’është e mundur që këta njerëz të ndihen mirë dhe që rikthimi të jetë sa më i suksesshëm. Çështjet e hapura do të mbyllen dhe të tregojmë një raport konstruktiv dhe një mesazh të mirë ndaj komunitetit”. Por në të njëjtën kohë në këtë konferencë është sqaruar edhe hapja e ambasadave mes Malit të Zi, Maqedonisë dhe Kosovës, një akt i cili pritet të ndodhë në muajt e ardhshëm.