Berisha në Gramsh: “Shqipëria do të kthehet në superfuqi energjetike në rajon”
Gjatë një mitingu në qytetin e Gramshit, kryeministri Berisha premtoi se projektet energjetike të miratuara nga qeveria e tij do ta kthejnë Shqipërinë në një superfuqi energjetike në rajonin e Ballkanit. “Unë ju garantoj se në 4 vitet që vijnë vetëm me HEC-in e Banjës dhe me hidrocentrale të tjera të kaskadës së Devollit do të punësohen rreth 7000 punonjës. Por ky është vetëm njëri, nga një seri hidrocentralesh të tjera, të cilat janë në ndërtim e sipër apo po nisin ndërtimin. Gramshi së shpejti do të jetë në krye të përpjekjeve të qeverisë sime për ta shndërruar Shqipërinë në superfuqi energjetike rajonale”, -është shprehur Berisha. Gjatë fjalës së tij drejtuar banorëve të Gramshit, Berisha premtoi se furnizimin me ujë të pijshëm 24 orë në ditë, rritjen e pagave dhe pensioneve, integrimin e vendit në BE dhe rritjen e ndihmës ekonomike. “Jam sot këtu për t’u zotuar se në katër vitet që vijnë ne do të ndërtojmë në çdo fshat të këtij rrethi dhe do të fusim ujin e pijshëm brenda çdo familjeje. Jam këtu për t’u dhënë fjalën se në 4 vitet që vijnë të gjitha shkollat e Gramshit do të jenë të reja ose të rindërtuara. Në 4 vite dyfishuam rrogat e infermiereve që 4 vite me parë merrnin 15 mijë lekë. Ne dyfishuam rrogat e mësuesve dhe sot mësuesit e fëmijëve tuaj dhe ata ta mbarë Shqipërisë kanë rroga 2 herë më të larta se 4 vite me parë. Në 4 vite fondin e ndihmës ekonomike ne e rritëm nga 7 miliardë në 13,9 miliardë”, - është shprehur Berisha.
Bumçi, në takim me fermerët, premton pesëfishimin e grantit për ta
Kandidati i Partisë Demokratike në qarkun e Tiranës, Aldo Bumçi, gjatë një takimi që zhvilloi me fermerë të komunës së Ndroqit u shpreh se gjatë mandatit të dytë qeveria e PD-së do të pesëfishojë grantin për ta. Gjatë vizitës në komunën e Ndroqit Bumçi pa nga afër investimet e kryera në sera dhe në vreshta dhe bisedoi me fermerët për mundësitë që do të ofrohen për financimin e projekteve në bujqësi dhe agro-industri.
Fermerët vlerësuan mbështetjen e dhënë nga qeveria për shtimin e prodhimit bujqësor. Ata thanë se subvencionet e dhëna i kanë ndihmuar për të shtuar sipërfaqet e mbjella duke rritur kështu prodhimin vendas. Kandidati i Partisë Demokratike, Aldo Bumçi, që kryeson dhe listën e kandidatëve në qarkun e Tiranës, i siguroi fermerët se në mandatin e dytë qeveria demokratike do të pesëfishojë grantet për projektet bujqësore.
13 Qershor 2009