E Diel, 1 Nëntor 2026

Bllokohet 1 kg heroinë në Plepa të Durrësit, arrestohet korrieri

SHKRUAN: Aleks Kalemasi 07-04-2011 17:08

DURRËS- Është arrestuar në Durrës një shtetas, teksa policia ka gjetur në mjetin e tij një sasi prej 1 kg drogë e dyshuar si e llojit heroinë. Burime zyrtare të policisë së qarkut të Durrësit kanë deklaruar se, droga është gjetur në pjesën e pasme të mjetit me targa FR 8462 C dhe në pranga është vënë shtetasi, Ilirian Hoxha nga Fieri.

Zbulimi

Të njëjta burime thonë se, makina tip Benz Mercedes është ndalur sapo kalon Plepat e Durrësit në drejtim të rrugës së Plazhit. Pikërisht në këtë vend, policia ka ngritur një postbllok, kryesisht për të mbikqyrur trafikun në segmentin, Plepa-Ura e Dajlanit dhe ka qenë ky postbllok me efektiva të seksionit të trafikut rrugor dhe agjentë të sektorëve të tjerë, që ka ndaluar mjetin. Në makinë me targa të Fierit që thuhet se është pronë e të arrestuarit, Ilirian Hoxha ka qenë vetëm 40-vjeçari fierak, i cili e ka pasur të pamundur të shmangë kontrollin fizik të mjetit. Policia ka ushtruar kontroll të përgjithshëm dhe në kohën që ka ngritur sediljet e pasme ka parë se nën to ishin dy pako, të cilat më pas rezultuan se ishin të mbushura me drogë. Polica ka pohuar se ka bllokuar në këtë mjet 1 kilogram heroinë si dhe, një shumë prej 1940 euro e një sasi lekësh. Hoxha i lindur në Fier dhe banues në fshatin Zhupaç, i martuar, nuk ka qenë eksponent krimi dhe kjo është shfrytëzuar nga rrjeti i trafikut për ta manipuluar linjën e transportit. Nga të dhënat paraprake të policisë dyshohet se, droga ka pasur si pikënisje qytetin e Fierit me destinacion Durrësin, megjithatë ende nuk ka një deklarim zyrtar. Mjeti është bllokuar rreth orëve të mbrëmjes dhe sasia e drogës, së bashku me benzin dhe paratë, janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale. Në çastet e ndalimit 40-vjeçari Ilirian S. Hoxha nuk ka dhënë asnjë sqarim për sasinë e drogës së bllokuar, ndërsa ai ka qenë i vetëm në benz në kohën që policia ka ushtruar kontroll.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›