E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi vizitë në Zall Herr: Gati të përballemi me sfidat

Presidenti i vendit Bamir Topi, vizitoi Brigadën e Reagimit të Shpejtë në Zall Herr. Topi komunikoi në telefon me ushtarët tanë në Afganistan, ndërsa vlerësoi rolin reformues të ushtrisë në anëtarësimin e vendit në NATO. 

ZALL HERR- Presidenti i Republikës Bamir Topi, njëkohësisht Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura ka vizituar sot Brigadën e Reagimit të Shpejtë në Zall Herr, i shoqëruar edhe nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneral brigade Maksim Malaj si edhe nga anëtarë të kabinetit.
Një moment mjaft emocionues dhe i veçantë i vizitës së Presidentit Topi, ishte biseda telefonike e komandantit të përgjithshëm me Majorin Ferdinand Ziu, komandant i efektivave paqëruajtëse në Afganistan të cilët i ka shprehur përshëndetjet dhe urimet në emër të të gjithë popullit shqiptarë, duke u interesuar njëkohësisht edhe për situatën dhe gjendjen e paqëruajtësve tanë.

Kreu i shtetit i falenderoi ushtarakët tanë në Afganistan veçanërisht për kontributin e tyre të vyer në funksion të vendosjes dhe ruajtjes së paqes në atë rajon të trazuar të botës.
Topi tha se Shqipëria do të shpjë kontingjentin e trupave në Afganistan, kurse ushtria shqiptare është e aftë të përballet me sfidat që i dalin përpara.

“Unë jam i bindur se sfida të reja do të perfeksionojnë Forcat tona të Armatosura. Unë vetëm një vit më parë e diçka më shumë, kam qenë në Irak, ka qenë në Mosul, kam qenë në Bagdad. Përveçse mirënjohjes që është e natyrshme, kishte një vlerësim të jashtëzakonshëm. Ndonëse trupat tona kanë vepruar në një zonë të vështirë, ato asnjëherë nuk janë trembur nga situatat, por përkundrazi arritën që deri në fund ta përmbushin deri në fund detyrën e tyre dhe pa dëme në njerëz”- tha Presidenti Topi.

Vizita e Topit në Zall Herr vjen vetëm pak ditë pas anëtarësimit të vendit tonë si anëtarë me të drejta të plota në NATO. (a.r/news24/balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›