E Diel, 1 Nëntor 2026

Topolanek: “Kërkesa mund të miratohet gjatë presidencës suedeze të BE-së”

Autori i Lajmit: red.
Kryeministri çek, Topolanek, në fjalën e tij përshëndetëse me rastin e dorëzimit të kërkesës për aplikim nga ana e qeverisë shqiptare është shprehur se “Shqipëria paraqet zyrtarisht, me anë të Kryeministrit, kërkesën për statusin e vendit kandidat për anëtar në Bashkimin Evropian. Nuk është vetëm sepse presidenca çeke e mori këtë hap dhe sepse integrimi i Ballkanit Perëndimor është një nga përparësitë e presidencës së saj, procesi i zgjerimit ka kriteret e kushtet e veta specifike, unë besoj se, në rast se çdo vend do të plotësojë këto kritere, atëherë ai mund të jetë pjesëmarrës i këtij procesi dhe Shqipëria ka kaluar përmes ndryshimeve të jashtëzakonshme, të mahnitshme dhe unë jam shumë i lumtur që shumica e këtyre ndryshimeve janë bërë nën drejtimin e Kryeministrit Sali Berisha. Shqipëria është në të njëjtën rrugë, nëpër të cilën ka kaluar edhe Republika Çeke. Sot, ajo është anëtare e NATO-s. Pas ratifikimit të Marrëveshjes ë Stabilizim-Asociimit, më 18 maj do të bëhet takimi i parë i Këshillit të Stabilizim-Asociimit dhe sot, Shqipëria po dorëzon aplikimin e saj për anëtarësim në BE. Pas dorëzimit të aplikimit do të fillojë procesi standard. Kështu që pas dorëzimit të aplikimit në duart e mia, ky aplikim do të kalojë në duart e zotit Havier Solana dhe kështu do të fillojë procesi avis , procesi i shqyrtimit dhe kjo procedurë mund të miratohet gjatë presidencës së ardhshme suedeze të BE-së. Por përpara Shqipërisë ka ende një punë të madhe për t u bërë. Sot, mendoj se Shqipëria po hyn në rrugën e saj afatmesme dhe unë besoj se ky proces do të kurorëzohet me sukses të plotë dhe kështu, ëndrra e shumë brezave që jetuan në regjimin totalitar do të bëhet realitet. Republika Çeke do të qëndrojë përkrah Shqipërisë dhe ta ndihmojë atë edhe pas përfundimit të presidencës çeke të BE-së”, - përfundoi Presidenti i radhës i BE-së dhe Kryeministri çek, Topolanek.
Ky lajm është publikuar: 29/04/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›